Metani dhe ILD legjitimojnë “drejtësinë” e Nevzat Haznedarit/Gjyqtarja uluriti, prokurori u terbua, por nuk është shkelje disiplinore

Jugulajm.net
4 Min Read
Nga Av. Arben Llangozi
Më në fund ndodhi. Pas një gjumi institucional aq të thellë sa do ta kishin studiuar edhe mjekët e letargjisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u zgjua. U zgjua jo për të vendosur drejtësi, por për të na dhënë një leksion të sofistikuar se si sjellja e papranueshme mund të jetë e papranueshme… pa qenë problem.
Rasti i avokatit Uljan Bajrami, i kërcënuar dhe i arrestuar në sallën e gjyqit, me presion dhe arrogancë publike, u shndërrua në një studim teorik mbi etikën nga i madhi Artur Metani.
Rasti i avokatit Uljan Bajrami sjell në kujtesë periudhën e errët të pasluftës, kur prokurori Nevzat Haznedari përdorte shpatën e partisë për të ndëshkuar të pafajshmit. Sot, në një sistem që pretendon të jetë demokratik, prokurori Gjergj Caka dhe gjyqtarja Megi Strakosha, përmes sjelljeve të tyre, përfaqësojnë të njëjtin mentalitet përdorimin e drejtësisë si mjet hakmarrjeje dhe frike.
Ashtu si dikur avokati Ali Selenica u torturua pse mbrojti të pafajshmit, sot Uljan Bajrami përballet me një “torturë institucionale”, ku padrejtësia vret dinjitetin dhe shpresën. Historia ndryshon formë, por thelbi mbetet i njëjtë: kur drejtësia shërben për pushtetin e jo për qytetarin, viktimat janë gjithmonë të pafajshmit.
ILD konstatoi, me një gjuhë aq sterile sa të kujton raportet e Byrosë së Kuadrove, se prokurori nuk ka qenë vetëpërmbajtur, ka folur pa leje, ka shkelur solemnitetin dhe ka cenuar etikën, por mos u shqetësoni: të gjitha këto janë thjesht defekte estetike të sjelljes, jo arsye për procedim disiplinor.
Sepse, siç duket, në drejtësinë shqiptare etika është dekorative, një aksesor që e mban në xhep, por nuk e përdor kurrë. ILD na kujton se standardet etike zbatohen edhe jashtë ushtrimit të detyrës, se personaliteti i magjistratëve ka rëndësi për besueshmërinë e publikut, për autoritetin e institucioneve, për shtetin e së drejtës.
Kulmi i absurditetit arrin kur ILD legjitimon idenë se gjykata ka të drejtë të ulërasë ndaj avokatëve dhe nuk përbënte vepër penale. Pra, salla e gjyqit nuk është më tempull i ligjit, por arenë gladiatorësh, ku fiton ai që bërtet më fort dhe humbet ai që guxon të kërkojë respekt procedural.
Mesazhi është i qartë avokati nuk është palë e barabartë, avokati është objekt disiplinimi verbal dhe duhet të dëgjojë, jo të flasë. Në këtë realitet, fjalia e famshme “në këtë sallë do flitet çfarë të dua unë” nuk është shkelje nuk është devijim, por doktrinë.
Standardi i ri i vendosur nga ILD është një përzierje nostalgjike, ku prokurori rikthehet në modelin e diktaturës, në frymën e Nevzat Haznedarit, pak nerv, pak presion, pak frikë sepse kështu “mbahet rendi”; ndërsa gjykata ngrihet mbi piedestalin e gjykatës komuniste, ku autoriteti nuk buron nga ligji, por nga toni i zërit dhe heshtja e detyruar e të tjerëve.
Në fund, si gjithmonë, përfundimi i ILD është gjeniale sjellja ishte e gabuar, etika u shkel, standardet u cenuan, por askush nuk ndëshkohet. Sepse drejtësia shqiptare nuk ka frikë nga gabimi, ka frikë vetëm nga precedenti.
Ndëshkimi i një prokurori apo gjyqtari do të thoshte se ligji vlen për të gjithë, dhe kjo, për fat të keq, është ende ide radikale. Kështu, sistemi vazhdon i qetë, ILD shkruan pasi ti dalin gjumi, gjykata ulërin, prokurori shpërthen, avokati poshtërohet, qytetari humb besimin.
Në fund të ditës drejtësia e Metanit, nuk është e verbër, ajo sheh shumë mirë, por zgjedh me kujdes kë të mos shohë.
Share This Article