Itali, prangoset 22-vjeçari shqiptar, ngriti bazë trafiku droge në bodrumin e lokalit

Jugulajm.net
2 Min Read

Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Piacenza, pasi kishte hyrë ilegalisht në vend dhe ishte përfshirë në aktivitet të strukturuar të trafikut të drogës.

I riu u kap në flagrancë teksa shiste kokainë në zonën e Via Ottolenghi.

Gjatë operacionit, efektivë të policisë të veshur civilë konstatuan një transaksion të dyshuar droge me një grua italiane, çka çoi menjëherë në ndërhyrjen dhe arrestimin e tij.

Gjatë kontrollit personal, policia i gjeti 22-vjeçarit 27 doza kokaine me peshë totale rreth 12 gramë, si edhe 300 euro para cash, të dyshuara si të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike.

Hetimet u zgjeruan më pas në një bodrum që i ishte vënë në dispozicion të të riut nga një shtetas italian, pronar i një lokali.

Ambienti ishte kthyer në bazë për ruajtjen, peshimin dhe paketimin e kokainës. Brenda bodrumit u sekuestruan pajisje për përgatitjen e dozave dhe materiale të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal.

Të gjitha lëndët narkotike dhe sendet e gjetura gjatë kontrollit u sekuestruan nga policia.

22-vjeçari shqiptar u dërgua në qelitë e burgut të Piacenzës, ku do të qëndrojë në pritje të një gjykimi të përshpejtuar.

Ndërkohë, shtetasi italian që kishte vënë në dispozicion ambientin për aktivitetin kriminal po hetohet në gjendje të lirë, raportojnë mediat italiane.

Share This Article