Të bashkëjetosh me shiun. Kjo i përshtatet më së miri familjes Memo në fshatin Katundisht Bashkia Këlcyrë. Nëse ka një familje që rron në mjerim të plotë dhe aq më keq me shiun, lagështirën dhe mungesën e produkteve elementare ushqimore, është kjo familje katër anëtarëshe. Në mot me shi, kjo banesë shndërrohet në pishinë. Çatia ka dalë jashtë funksionit të mbrojtjes maksimale ndonëse mushamaja ngjyrë blu është vendosur për të eleminuar sadopak depërtimin poshtë saj. Dyert e dritaret kot sa janë. Tavani i shtëpisë gati në të rënë.
Është një situatë ku të jetosh nën çatinë e kësaj ngrehine, është sfidë me jetën. Në këtë le t’a quajmë shtëpi, jetojnë katër pjestarët e familjes Memo. Anusheja, kryefamiljarja, i duhet të përballet me shumë peripeci të përditshme. Ajo jeton me shpresën që dimri të ikë sa më shpejt dhe të jetë i shkurtër dhe vera të zgjasë sa më shumë. Mirëpo nuk janë të vetmet këto dëshira pasi problemet e shumta sociale e shëndetësore që ndesh kjo familje, janë unikale. Anusheja ka tre fëmijë, dy prej të cilëve të sëmurë, njëri autik dhe tjetri me probleme shumë serioze shëndetësore. Ndonëse të rinj në moshë, dy fëmijët e saj kërkojnë përkujdesje maksimale si shëndetësore, ushqimore por dhe personale pasi janë të paaftë.
Kjo familje trajtohet me një gjysmë pension invaliditeti çka i përfiton njëri prej fëmijëve të sëmurë, por që për Anushenë, kjo shumë nuk arrin as për ilaçe e as për pelenat e domosdoshme për djalin shëndetligë. Problemet për t’a nuk kanë të sosur qofshin këto ekonomike, por edhe ato të mbijetesës nën fatin e kushteve atmosferike. Anusheja dhe i biri i saj i vetëm i saktë, apelojnë për ndihmë dhe shpëngulje nga kjo ngrehinë, pasi nuk do të jetë e largët dita që do t’i zërë nën vete.
Kryetari i fshatit Katundisht Ilirian Muhaj njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak në Këlcyrë, shprehet se maxhoranca socialiste në këtë këshill me forcën e kartonit, nuk ka miratuar asnjë propozim të tij për çeljen e një fondi shtesë për këtë familje të mjerë, ndërkohë që nuk ngurron të apelojë tek bizneset që të kthejnë kokën nga kjo familje për t’i ofruar ndihmë. Nderkohe qe stafi i Jugulajm.net ofroi nje sasi te bollshme ndihmash ushqimore te cilat u ofruan nga kryebashkiaku i Dropullit Dhimiter Toli.



