Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka njoftuar se ka pezulluar nga detyra Drejtorin e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, A.A., pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku shfaqej efektivi duke u konfliktuar me një doganier.

Ndaj A.A., ka nisur edhe hetimi disiplinor, ndërsa doganieri është transferuar nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës deri në përfundim të hetimeve.

“Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social JOQ, ku shfaqet një oficer policie duke u konfliktuar me një punonjës të doganës, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ju sqarojmë se:

Ngjarja ka ndodhur më datën 06.01.2025, dhe menjëherë pas ngjarjes, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, Komisar A. A, është pezulluar tre ditë nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin disiplinor.

Për të kryer një hetim sa më të plotë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e menjëhershëm të këtij punonjësi nga Pika e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kapshticë.

Sqarojmë se shtetasi L.M (doganier) me të cilin u konfliktua Shefi i Stacionit A.A, nuk ka pranuar të bëjë kallzim.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë.