Një 70 vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj, Sipas informacioneve paraprake, mësohet se e moshuara e identifikuar si Bajame Memetali, jetonte e vetme në një pallat në lagjen nr 17 në Korçë..
Dyshohet që e moshuara të ketë disa ditë që ka ndërruar jetë, ndërsa nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Pritet që trupi t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko ligjore për të zbardhur shkakun e vdekjes.
Ka qenë fqinja e saj që ka lajmëruar policinë pasi prej disa ditësh nuk e kishte parë të moshuarën. Në një prononcim për mediat, ajo thotë se u shqetësuan se kishin ditë që s’e kishin parë. Ajo theksoi se e moshuara ishte e sëmurë dhe ishte e paralizuar pasi kishte rënë nga kati i katërt.
Fqinja tha se të birin e ka në burg, ndërsa nuk kishte asnjë njeri që të kujdesej për të, përveçse të motrën që jeton në Tiranë, e cila vinte nganjëherë dhe e ndihmonte.
“Kur e pamë kishte rënë nga divani. Lajmëruam motrën në Tiranë dhe i thamë hajde se ka vdekur Bajamja. Lajmëruam policinë. Ne nuk hynim e dilnim. Jetonte vetëm, nuk i dërgonte njeri. Ne dyshuam se s’po dëgjohej. Thashë hajde ta shikojmë. U ngritën të tërë komshinjtë, e pamë të vdekur. Djalin e ka në burg. Ishte në vështirësi ekonomike, pa ngrënë e pa pirë. Ishte e sëmurë. Ra nga kati i 4 dhe u paralizua. Vinte nganjëherë e motra nga Tirana dhe i bënte shërbim.”, tha ajo.




