Një i moshuar është vënë në prangat e policisë, pasi tentoi të vrasë gruan duke e plagosur rëndë.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Durrës.
Efektivët e policisë me marrjen e njoftimit për një rast dhune në familje në lagjen nr. 17, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, duke bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Si i dyshuar u arrestua në flagrancë autori i dyshuar A. R., 76 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me send të fortë (shkop druri) në kokë.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.




