Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për dy mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar për vdekjen e Doriana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha, e cila humbi jetën në nëntor të vitit 2014, dy javë pas lindjes së fëmijës së saj të parë.
Prokuroria kërkoi 9 muaj burg për gjinekologun Petrit Rexhepi, por për shkak të moshës mbi 70 vjeç, të pezullohet dënimi dhe të vendoset në shërbim prove për 18 muaj.
Gjithashtu, kërkoi të pezullohet licenca e tij për 5 vite, duke mos ushtruar profesionin e mjekut.
Prokuroria kërkoi 1 vit burg për reanimatoren Elona Burba, si dhe pezullim licence për 5 vite.
Në 10 nëntor pritet seanca e radhës, ku mjekët do të paraqesin argumentet e tyre të mbrojtjes.
Pas më shumë se 10 vitesh pritjeje, familja e Doriana Hakës shpreson të marrë më në fund një vendim përfundimtar të drejtësisë.




