Konflikti me 2 viktima, zbardhet dëshmia e kamarierit të lokalit: I thashë se s’mund t’ia bëja kafenë dhe…

Jugulajm.net
2 Min Read

Zbardhet dëshmia e kamerierit të lokalit ku ndodhi përplasja me armë zjarri në Manëz të Durrësit, e cila përfundoi tragjikisht me dy viktima.

Para autoriteteve policore, kamerieri ka rrëfyer të gjithë dinamikën e konfliktit që nisi për një kafe dhe përfundoi në vrasje.

Dëshmia e kamerierit:

“Daniel Pepa erdhi në lokal dhe më kërkoi një kafe. Me të ishte edhe një shok i tij, Aranit Kurti. I thashë që nuk mund t’ia bëja kafenë sepse ekspresi kërkon kohë të ngrohet. Ekspresin e kisha fikur që në orën 00:00, pasi pas asaj ore nuk shërbejmë më. Kur i thashë se nuk mund t’ia bëja kafenë, Danieli më ofendoi. Ai ngulmoi që t’ia përgatisja. Nuk i ktheva përgjigje, por ndërhyri Flori Paluçi, një klient i rregullt i lokalit. Flori i tha Danielit të mos më fyente. Më pas, Flori dhe Danieli debatuan mes tyre. Dolën jashtë te dera, dhe gjatë sherrit ndodhi tragjedia ku u vra Aranit Kurti, shoku i Danielit, dhe Flori Paluçi”.

Kujtojmë që ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:45 të mëngjesit të së mërkurës, në ambientet e një lokali pranë një karburanti në Manëz të Durrësit.

Viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz të Durrësit.

Autori i dyshuar i njërës prej vrasjeve, 21-vjeçari Daniel Pepa, është shpallur në kërkim nga policia ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po zhvillohen operacione intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Share This Article