Letër e hapur dhe publike/ Drejtësia është ajo që jep siguri…

Jugulajm.net
7 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Drejtuar: Z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë: Z. Artur Metani, Kryetar i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë: Z. Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Tashmë që pak a shumë situata në drejtësi ka rimarrë rrjedhën e saj të zakonshme të monotonisë së përditshme, duke e kthyer dhimbjen e vrasjes së gjyqtarit Kalaja në kërkesa për suporte personale gjyqtarësh, jo si kërkesa reale dhe domosdoshmëri për ndryshimin e realitetit dhe reflektimit në drejtësi.
Prita që reagimi im të mos ishte i çastit, por i matur dhe i drejtpërdrejtë, duke respektuar parimet e profesionit, që të reagoja me forcë ndaj institucioneve të drejtësisë dhe titullarëve të tyre, për situatën dhe realitetin në drejtësi, si dhe për t’u dhënë kohë të nevojshme familjarëve të të ndjerit për qetësi dhe dinjitet.
Po, ju drejtohem me emër dhe mbiemër, sepse përgjegjësia është edhe juaja personale, si edhe institucionale, se drejtësia nuk është turmë anonime, por për njerëz konkretë me pushtet konkret. Gjithashtu edhe për t’i dhënë peshë fjalës sime, ndaj përgjegjësisë suaj publike, si detyrimin tim profesional dhe qytetar.

Zotërinj; Drejtësia as nuk jepet, as nuk konvertohet me kushte pune, Siguria, sado e përkryer, nuk është themeli mbi të cilin ngrihet drejtësia. Është drejtësia që jep siguri, jo siguria që prodhon drejtësi: Koncepti juaj për “sigurinë e gjyqtarëve”, për “kushte pune”, për “objekte të reja” është i gabuar në thelb, si nga pikëpamja filozofike, ashtu edhe nga ajo funksionale, por mbi të gjitha shumë i gabuar, i pa drejtë, për të mos thënë i qëllimshëm kur e vendosni këto faktor si domosdoshmëri, që një gjyqtar, apo gjykatë si kushte për të dhënën drejtësi. Nuk është siguria që sjell drejtësi. Është drejtësia që sjell siguri.

Mund të ndërtoni godina luksoze, mund të shtoni roje, kamera e pagesa, por një gjyqtar që nuk jep drejtësi, është vetë kërcënim për sigurinë publike. Askush nuk jua mohon të drejtën dhe detyrimin për të kërkuar kushte pune, pagë të denjë, apo mbrojtje institucionale. Por askush nuk ju jep të drejtën të ulërini në konferenca e media se “nuk mund të ketë drejtësi pa kushte sigurie”. Aftësia e një Gjyqtari as nuk është dhe as nuk varet nga kolltuku, apo nga godina ku është zyra e tij, por nga aftësia profesionale, ndershmëria dhe guximi për të qenë i drejtë. Siguria e përsosur nuk garanton drejtësi, aq më pak drejtësi të përsosur, ndërsa drejtësia e drejtë, edhe në kushte të vështira, jep siguri për qytetarin, shtetin dhe kombin. Jo, zotërinj. Drejtësia është akt moral, jo luks zyre. A po ndoshta luksi i tepruar dhe mania pas parasë, kanë bërë që të keni harruar se dikur gjyqet bëheshin në mes të arës, në klubin e fshatit, të qytetit, në uzina dhe fabrika, pa avokat, pa polic, pa klimatizim? Në ato kushte primitive jepeshin vendime kapitale.

Edhe sot e kësaj ditë homologët tuaj me pensione minimale, po që kanë dhënë vendime kapitale ecin rrugëve të Tiranës, pa mbrojtës, pa bodigard, jo që nuk i ngacmon dhe kërcënon njeri, por gëzojnë respektin e mirësinë e tyre. Dhe e dini pse!? Se nuk i kanë hyrë njeriu në hak. Kanë bërë detyrën. I kanë dhënë Cezarit atë që meriton Cezari. Sot, me gjithë teknologjinë, me rroga të larta e zyra moderne, shpesh jepen vendime të turpit.
Gjyqtari, as nuk vret dhe as nuk shpëton askënd. Ai vetëm zbaton ligjin, me ndërgjegje, paanshmëri dhe përgjegjësi. Pra është ligji ai që të ndëshkon nëse e ke shkel atë. Kur një vendim jepet me qëllim, me interes, apo me ndikim, ai nuk është më vendim, është pazar.
Dhe ky pazar, zotërinj, është korrupsion i pastër.

Qenësia Gjyqtari nuk është post, apo profesion viktimë, ku është i destinuar të bëjë viktimën, por është përgjegjës e madhe në ushtrimin e dijeve dhe formimit të tij profesional, mbi një ndërgjegje brilante, prej një qytetari me qytetari dhe fisnikëri për tu pasur zili. Çdo veprim ndryshe i këtij misioni është as më shumë e as më pak një palaçollëk dhe struc e skuth i keq i kësaj drejtësie.
Gjyqtarët e kanë për detyrë ligjore e morale të kërkojnë kushte më të mira pune, por askush nuk ka të drejtë të justifikojë mos dhënien e saj, apo mungesën e drejtësisë me mungesën e kushteve.

Drejtësia është akt i madh përgjegjësie, ku të është besuar Ty zotëri, apo zonjë, por kurrsesi nuk është privilegj, apo mundësi privilegji, apo përfitimi dhe abuzimi, në interes të njërit, apo tjetrit dhe më e keqja për interesa të tuat.
Heshtja dhe justifikimi janë varrimi i drejtësisë; Është e trisht që institucionet e drejtësisë heshtin për vendime të padrejta, për pazare dhe për gjyqtarë që japin vendime sipas interesit, jo sipas ligjit.

Kjo nuk është as lapsus, as padije, por korrupsion i pastër. Ju që i njihni emrat e tyre, ju që lexoni vendimet e tyre, mos u bëni bashkëfajtorë. Gjyqtari është i pavarur vetëm në marrjen e vendimit, jo në përgjegjësinë për pasojat që sjell.
Drejtësia nuk ka nevojë për mburoja hekuri, por për shpirt njerëzor. Sepse vetëm drejtësia që jep siguri, mund të mbrojë edhe vetë gjyqtarin.

Fejzo Subashi
Tetor 2025

Share This Article