Nga Fejzo Subashi
Absolutisht që nuk ka as moral, as drejtësi, as prift e as hoxhë që të bëjë sadopak të ligjshme vrasjen e një gjyqtari në mes të kryeqytetit. Këtë e thonë të gjithë, që nga qytetari më i thjeshtë, deri te qytetari i parë Presidenti i vendit. E thonë zyrtarë, drejtues institucionesh, madje bile e thonë edhe ata që vetë kanë vuajtur , apo vuajnë padrejtësinë e ndonjë gjyqtari apo gjykate. Çudia më e madhe është se e dëgjon këtë edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ku sot vrapoi si i marrë, ashtu si vrapon për herë, që pas çdo tragjedie mblidhet për të folur për “sigurinë në sallat e gjyqit” dhe “mbrojtjen e gjyqtarëve”. Pra çfarë propozon kjo KLGJ, që të mbushi sallat me policë. Të fryjë administratat e drejtësisë, duke rënduar taksat e qytetarëve. Zotërinj të KLGJ- së, sallat e gjyqit në tërë Botën jan të hapura dhe publike. Kështu bëhej edhe në kohën e komunizmit në mes të arës, në shpinë e kulturës dhe nuk ndodhte as gjë. Nuk kishte as avokat. Por atëherë kishte drejtësi dhe jepte drejtësi. Edhe gjyqtari jepte llogari në popull për punën e tij…
Por le ta themi troç: është vetë KLGJ-ja që e ka çuar dhënien e drejtësinë në këtë gjendje. Se gjyqtari nuk jep as në një vend llogari për punën e ti. Kur është KLGJ – ja që e kontrollon dhe i kërkon llogari. Është ky institucion që sot, pa pikë turpi, propozon të mbushen sallat me policë, sikur problemi i drejtësisë shqiptare të ishte mungesa e rojeve dhe jo mungesa e përgjegjësisë.
A e di KLGJ-ja sa njerëz ka çdo gjyqtar në dispozicion? Armatë inspektorësh, sekretarësh, kancelarësh, administratë e tërë që jeton përreth një gjyqtari. Por a e ka parë ndonjëherë KLGJ-ja se me çfarë merren këta njerëz? A ka lexuar ndonjë vendim gjyqësor që të kuptojë pse qytetarët s’kanë më besim? A ka bërë ndonjëherë analizë për eficencën dhe cilësinë e punës në gjykata?
Sepse ajo që sheh sot është një farsë: vendime më të gjata se leksionet e një pedagogu mediokër, plot fjalë të mëdha dhe zero drejtësi. “Gjyqtari është i pavarur” –thonë. Po mirë, i pavarur në marrjen e vendimit, po jo në llogaridhënie! Vendimi nuk është pronë personale, është akt publik që prek jetën e qytetarëve. Pra kur gjyqtari jep vendimin thotë; – Në emër të Republikës. Dhe kur këto vendime janë të padrejta, pasojat i paguan shteti, pra, i paguajmë të gjithë ne.
A ka përgjegjësi për gjyqtarët që për të njëjtat kauza japin vendime të kundërta? A ka ndonjë kontroll mbi cilësinë, apo KLGJ-ja thjesht mban karriget dhe shpërndan paga? Flasim për “të drejtën”, por kush e ka sot të drejtën në këtë vend? Vetëm gjyqtari?
Askush nuk justifikon dhunën ndaj gjyqtarëve është e papranueshme, e turpshme, e dënueshme. Por kemi të drejtë të pyesim: a ka përgjegjësi morale dhe institucionale edhe gjyqtari që nuk dëgjon, që rri në seancë me përtesë, që bën muhabet, që s’e sheh njeriun përballë si qytetar, por si bezdi?
Drejtësia lindi që arma të pushonte, që dora të mos vriste më për të vendosur të drejtën. Por sot, me veprimet e saj, kjo drejtësi po e ringjall armën. Po e shtyn qytetarin të mos besojë më. Dhe për këtë, nuk mjafton një polici në sallë , duhet një ndërgjegje në krye.
A do ta ketë ndonjëherë KLGJ-ja këtë ndërgjegje? Apo do të vazhdojë të shfaqet në ekrane, me fjalime të buta, ndërsa drejtësia shqiptare shkon drejt greminës?




