Enea Mekolli, vetëm 34-vjeç, babai i një vogëlushi të vogël, ra sot dëshmor i atdheut në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, gjatë një operacioni policor për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.
Në përpjekje për të vënë në pranga një të arratisur nga drejtësia, plumbat i morën jetën policit 34-vjeçar, duke i prerë në mes ëndrrat dhe jetën që kishte përpara.
Zija ka pllakosur sërish mbi familjen Mekolli, një familje që duket se fati e ka goditur dy herë në mënyrën më të pamëshirshme. Dy djem, të dy të veshur me uniformat e Policisë së Shtetit, dhe sot asnjëri prej tyre nuk është më.
Disa vite më parë, vëllai i madh i Eneas humbi betejën me një sëmundje të rëndë. Edhe ai ishte efektiv policie, njësoj si i vëllai që sot ra në krye të detyrës, duke lënë pas një boshllëk që nuk mbushet më.
Bëhet me dije se kjo familje e thyer nga dhimbja po përjeton një tragjedi të dyfishtë, një nënë që tashmë ka përcjellë një djalë në banesën e fundit dhe ditën e nesërme për fatin e keq do të përcjellë dhe djalin tjetër.




