Berisha shpërndan mesazhin para protestës: Sot është dita e guximit

Jugulajm.net
1 Min Read

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale pak orë para protestës kombëtare të opozitës, e cila pritet të zhvillohet këtë të shtunë në orën 17:00.

Në reagimin e tij, Berisha e cilëson ditën e sotme si “ditën e guximit qytetar”, duke theksuar se, sipas tij, opozita do të mbajë përgjegjës kryeministrin për situatën politike dhe sociale në vend.

Ai përdor tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe duke e përshkruar protestën si një akt përballjeje me atë që e quan “e keqja që ka mbërthyer Shqipërinë”.

“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë.”-shkruan Berisha.

Protesta e thirrur nga opozita pritet të mbledhë mbështetës nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet kanë njoftuar për masa sigurie për mbarëvajtjen e tubimit.

Share This Article