Pavarësisht se bëri kallëzim penal në polici, gazetari i Report TV, Piro Nase, është kërcënuar sërish pasi raportoi për pezullimin nga detyra të shefit të Krimeve të Komisariatit të Përmetit, Dhurim Çenko.
Një ditë më parë në polici u shoqërua djali i Dhurim Çenkos, Boris Çenko dhe u vu nën hetim në gjendje të lirë. Por pas kësaj ngjarjeje, gazetari ka marrë sërish kërcënime, kësaj here përmes vajzës së mitur.
Një person ka telefonuar të bijën me numër të fshehtë duke i kërkuar llogari se pse kanë denoncuar dhe duke e kërcënuar: “Do ta shikoni si familje ku do të shkoni të gjithë në satër”. Gazetari pritet të depozitojë një tjetër kallëzim në polici, në prezencë të psikologut dhe avokatit.
Për ngjarjen reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili kërkoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.
Një ditë më parë, gazetari Nase raportoi se Çenko ishte pezulluarnga detyra për shkelje të rëndë disiplinore dhe se kishte nisur një hetim disiplinor për të, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic P.B dhe kolegu i tij, Artur Ago, por nuk kishte marrë asnjë masë.
Informacioni i raportuar nga gazetari bazohej në një kërkesë për informacion, ku Drejtoria Vendore e Policisë së Gjirokastrës bëri të ditur, se Dhurim Çenko ishte pezulluar nga detyra një ditë pas publikimit të ngjarjes për shkelje të rëndë disiplinore.




