Për ty bija ime, që nis sot klasën e parë…

Jugulajm.net
6 Min Read
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82?

Nga Fejzo Subashi

E dashur Aja, bija jon e vogël dhe e vetme, sot nuk mund ta fsheh emocionin e madh që më pushton. Është po aq i thellë sa ai çast kur të mbajta për herë të parë në krahë. Atëherë nuk i fsheha dot lotët, por u përpoqa t’i fshihja nga të tjerët.
Sot dua të qesh dhe të qaj njëkohësisht prej gëzimit, por nuk dua që ti të më shohësh.

Sot ti nuk po fillon thjesht shkollën, as nuk po hyn vetëm në klasën e parë. Sot ti hedh hapin e parë në një udhëtim të gjatë, herë sfidues, herë i bukur, por mbi të gjitha i domosdoshëm, bija ime.
Për ta përfunduar me sukses këtë udhëtim do të duhen shumë; punë, besim, dashuri, përkushtim, forcë, energji, mbështetje dhe kurajë. Mos harro: ti nuk do të jesh kurrë vetëm.

Në çdo hap, në çdo çast, do të na kesh pranë – ne, prindërit e tu, dhe mësuesit e tu. Ne do të bëjmë çmos që ti të qeshësh edhe kur ndihesh e mërzitur, sepse besojmë shumë tek ti. Kurrë nuk do të lejojmë që dikush të qeshë me ty.

Ti duhet të mësosh të ecësh përpara duke menduar sikur nuk ka padrejtësi. Por realisht, fatkeqësisht nuk është kështu, sepse jo të gjithë janë të drejtë dhe të sinqertë si ti.

Ne dhe mësuesja jote nuk do të të mbajmë vetëm përdore, por do të të mësojmë si të mësosh; jo me forcë, por me butësi dhe durim. Jo vetëm sepse je ende e brishtë (në fakt, gjithë jetën do të jesh e brishtë), jo vetëm sepse je Aja jonë dhe e dashura e zemrës, por sepse kështu do të bëhesh njeriu që ti dhe ne dëshirojmë që të jesh.

Në fillim do të kesh vetëm një mësuese, por rrugës do t’u bashkohen shumë të tjerë. Dëgjoji me vëmendje, respektoji edhe kur mund të mos jenë gjithmonë të drejtë me ty. Dua që të jesh e fortë dhe me karakter.

Mos ki frikë të thuash të vërtetën dhe mos lejo kurrë që dikush të shkelë mbi ty.
Shkolla nuk është një shesh me lule, por as një shesh lufte. Do të kesh shokë e shoqe, miq e mikesha, por edhe njerëz që ndoshta nuk të duan të mirën, kjo është pjesë e jetës, bija jonë.

Shpresoj që konkurrenca dhe egoizmi midis bankave të klasës të zëvendësohen nga mirësia dhe bujaria… e nëse nuk i gjen tek të tjerët, tregoje ti e para. Jo të gjithë do jenë gjithmonë të mirë, apo të drejtë me ty, por ti gjithmonë sillu mirë me ta, ashtu si do doje të silleshin ata.

Nëse dikush përgjigjet më mirë se ti, mos u bëj xheloze, por mëso dhe tejkaloje, sepse askush nuk është më shumë e as më pak se ti.
Fillimisht do të udhëtosh në fletët e abetares, mes gërmave dhe ngjyrave, e më pas në shumë libra të tjerë. Aty do të gjesh aromën e ëmbëlsirave, freskinë e detit, flladin e maleve, kënaqësinë e lojërave, magjinë e mrekullinë e udhëtimeve.

Aja, ndërsa shkruan, i lutem Zotit të ndiesh kënaqësinë e shkumësit mbi tabelë. Bija ime, nuk ka rëndësi edhe nëse do të bësh gabime, sepse kur korrigjohen i kupton dhe atëherë ato nuk përsëriten më.

Shpirti im, dëshira më është të jesh e para e klasës, sepse kështu mbase do të jesh gjithmonë timonierja e jetës tënde, që nesër do të rendësh për të arritur të ardhmen tënde.

Është bukur, më beso Princesha ime, kur të arrish të shkruash fjalinë tënde të parë saktë. Mëso fjalë e fjali të vështira, bija ime, me ngjeshje të bashkëtingëlloreve, me dhe pa ë-në fundore, por qofshin fjalë zemre, të vërteta, fjalë ndjese, urimi, falënderimi, ndryshimi…
Jam i sigurt që do të bësh krenar, sepse je bija më e mirë që një baba mund të ketë. Unë frymoj dhe jetoj për ty!

Dëshiroj me gjithë shpirt të marrësh me vete gëzimin dhe dëshirën tonë, e t’i bashkosh me entuziazmin, energjinë, zgjuarsinë, mençurinë dhe fantazinë tënde, në rrugën që sapo nise.

E di që nuk ka rëndësi nëse ndonjëherë do të jesh e ndrojtur apo fjalëpaka. Besomë, ndrojtja jote, ashtu si entuziazmi, për mua është dhuratë, mos e harro këtë kurrë!

Dashuria jonë për ty është e pakufishme. Të uroj jo vetëm këto që shkrova këtu, por shumë e shumë të tjera. Zemra ime shpreson, kërkon dhe dëshiron shumë për ty, por mbi të gjitha dua qetësinë tënde.

Këtë urim të shkruar vendosa ta bëj publik, pa mirëkuptimin tënd; për këtë të kërkoj ndjesë. Por dua që ky urim sot t’i shkojë gjithë vogëlushëve që, si ti, për herë të parë fillojnë shkollën.

Dua të uroj edhe gjithë armatën e mësuesve që kanë në dorë të ardhmen tuaj dhe të Kombit Shqiptar.
Urime nga babi yt, që të do pa masë.
Tiranë, 8 Shtator 2025

Share This Article