Të tjera detaje zbulohen nga aksidenti tragjik në Sarandë, që u mori jetën dy motrave 20 dhe 22 vjeçe. I riu Kevin Nora, që u përplas me mjetin e dy motrave po drejtonte makinën në gjendje të dehur.
Bëhet me dije se pasi i është nënshtruar testit të alkoolit, 23-vjeçari ka rezultuar i dehur dhe tashmë është arrestuar.
Dy mjetet janë përplasur kokë më kokë dhe aksidenti rezultoi tragjik për dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku të cilat humbën jetën.
Ndërkohë, pasagjerja Antonela Zhupa 24 vjeçe, e cila udhëtonte me dy motrat, është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë, arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.




