Nga Fejzo Subashi
Kur kërkesat e qytetarit nuk përputhen me qasjen, sjelljen dhe ofertën politike, lind zbrazëtia që dëmton jo vetëm demokracinë, por jetën dhe të ardhmen e vendit, të qytetarit në vençanti dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në Kosovë, me sjelljen, qasjen dhe lojën që po bënë politika në gjithë spektrin e saj politik, po thellohet një kontrast i dukshëm: Qytetari Kosovar është shumë.hapa përpara klasës politike, këtë e tregoj me sjelljen dhe qasjen në ditën e votimit, ku sot i cili ka filluar të artikulojë nevoja të reja, të drejta dhe të përditshme. Ndërkohë që politika vijon t’i përgjigjet me logjikën e vjetër të pushtetit, protagonizmit dhe krizës permanente.
Qytetari i Kosovës nuk është më vetëm ai që votoi për çlirimin, për pavarësinë apo për shtetin. Sot ai është edhe punëmarrës i pasigurt, prind që kërkon arsim të mirë, i moshuar që kërkon dinjitet, i riu që mendon të largohet. Ai është më racional, më kritik, më i informuar dhe shumë më pak i duruar ndaj demagogjisë. Kërkon punë, barazi, siguri, shërbime publike, drejtësi. Kërkon të jetojë në një shtet që e respekton dhe e përfaqëson.
Ndërkohë, çfarë ofron politika? Përafërsisht të njëjtën recetë që ofron prej më shumë se një dekade: shumë zhurmë, pak zgjidhje. Ajo është shpesh e fokusuar në konflikte të brendshme, rivalitete personale, përplasje partiake dhe gjuhë të vjetruar patriotike, që nuk shkon më në unison me përditshmërinë e qytetarit. Politika flet për çështje të mëdha gjeopolitike, ndërsa qytetari pyet për çmimin e bukës dhe funksionimin e institucioneve.
Kjo është një ndarje e rrezikshme. Jo për sistemin, por për besimin tek demokracia. Kur qytetari nuk e gjen veten në diskursin publik, ai largohet nga procesi demokratik: në fillim nga pjesëmarrja, pastaj nga vota, e më pas nga vetë vendi. Dhe kjo nuk është një çështje e Kosovës, por e vetë legjitimitetit politik.
Politika në Kosovë duhet të kuptojë një të vërtetë të thjeshtë: koha e konsumit të pandërprerë të patriotizmit verbal ka kaluar. Sot nuk jemi më në vitet e para të pasluftës. Sot kërkohet përgjegjësi, jo vetëm kujtesë. Qytetari nuk e ka harruar historinë, por nuk mund të jetojë vetëm me të. Ai do një të ardhme të besueshme. Nëse kultura dhe qasja demokratike e qytetarit në Kosovë po pëson rritje me tjetër qasje dhe sjellje nga ajo kur nisi udhën e një shteti të ri, klasa politike jo vetëm që nuk po ndryshon, por ka ngelur ajo në vend numëro.
Kjo kërkon një ndryshim kulture politike: më pak spektakël, më shumë shërbim; më pak retorikë, më shumë përmbajtje; më pak liderë që flasin vetëm për vetveten, më shumë institucione që punojnë për qytetarin. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbyllet hendeku midis ofertës politike dhe kërkesës qytetare.
Përndryshe, do të vijojë ndarja që sot shihet në çdo sondazh, në çdo protestë të heshtur, në çdo biletë avioni me drejtim larg Kosovës.
07.06.2025.




