Nga Avokat Arben Llangozi
Nga informacionet që kam arritur të siguroj, duket se komisionerja Genta Bungo, e cila është kualifikuar si kandidate për në Gjykatën Kushtetuese nga KED, ka pasur fatin e veçantë të marrë një dosje nga Shërbimi Informativ Shqiptar, e cila është referuar në KED.
Sipas saj, rezulton se ajo ka përfituar 200.000 euro nga një subjekt rivlerësimi. Dhe për të mos mbetur thjesht në spekulime, ky informacion është referuar tashmë në Prokurori nga Shërbimi Informativ Shqiptar.
Por këtu fillon pjesa më interesante, dhe ironike, SPAK duket se ka preferuar heshtjen në vend të transparencës. Pyetja që lind është e thjeshtë, çfarë është bërë konkretisht me këtë hetim? A ka ndjekur SPAK çdo hap të parave dhe ndikimeve, apo dosjet konfidenciale thjesht kanë mbetur të arkivuara, duke u shndërruar në mistere të mbushura me dyshime?
Ndërkohë, qytetarët, që sipas ligjit kanë të drejtë të dinë çdo hap të këtij procesi, mbeten jashtë transparencës, ndërsa seanca pranë KED, që padyshim duhet të ishte publike, shndërrohet në një mister institucional. Heshtja dhe sekretet e komisionit nuk janë thjesht formalitete; ato janë maska që fshehin dyshimet dhe intrigat, duke i lënë qytetarët vetëm spektatorë të një procesi që duhet të ishte i hapur dhe llogaridhënës.
Dhe më ironike nga të gjitha, ēshtë fakti se një çështje me interes publik të jashtëzakonshëm, zgjedhja e një kandidati për Gjykatën Kushtetuese trajtohet si sekret. Transparenca duket të jetë privilegj për të zgjedhurit, ndërsa qytetarët janë thjesht spektatorë të mistereve zyrtare.
Genta Bungo, e kualifikuar si kandidate për në Gjykatën Kushtetuese nga KED, nuk shquhet vetëm për pasuritë e pajustifikuara, për të cilat SPAK tashmë ka referuar informacionin në Prokurori, por edhe për hije misteri të tjera gjatë karrierës së saj.
Ndërkohë që një çështje kaq me interes publik, si zgjedhja e një kandidati për Kushtetuesen, mbahet e fshehtë, qytetarët mbeten spektatorë të një komedie ku paratë, pushteti dhe intrigat luajnë rolin kryesor, ndërsa transparenca dhe llogaridhënia duket se janë privilegj për të zgjedhurit.
Gjatë mbledhjes në KED, një anëtar i Gjykatës Kushtetuese e ka quajtur Genta Bungon “krenari” për gjykatën, një “krenari” që duket se vjen së bashku me hije të panumërta gjatë karrierës së saj dhe me një dosje korrupsioni të referuar nga Shërbimi Informativ.
Kjo nuk është thjesht një histori për paratë apo dosjet e korrupsionit; është një pasqyrë e asaj se si misteret dhe dyshimet mund të përdoren për të dekoruar tituj dhe famë institucionale, ndërkohë që publiku lihet jashtë transparencës.




