Kultivonin dhe shisnin kanabis, 5 të arrestuar, nën hetim kryeplaku i fshatit

Jugulajm.net
2 Min Read

Pesë persona kanë rënë në prangat e policsisë pasi kultivonin dhe shisnin kanabis.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet kryetari i fshatit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të procedimit penal dhe veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, nga strukturat për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcën Operacionale të DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë Berat, u finalizua operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”, për goditjen e një grupi që kultivonte dhe shiste lëndë narkotike.

Gjatë këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, ndaj shtetasve:

M. Q., 25 vjeç dhe S. H. (Q)., 30 vjeç (vëllezër), banues në Poliçan;

A. Z., 41 vjeç, banues në fshatin Gostenckë, Skrapar;

E. K., 33 vjeç, banues në Poliçan;

S. Ç., 28 vjeç, banues në fshatin Jaupas, Skrapar.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryetari i fshatit Jaupas, Skrapar, shtetasi S. Ç., 46 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar S. Ç.).

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 3 krehra arme zjarri automatike, 3 koka të dyshuara me përmbajtje eksplozivi, tub uji që dyshohet se furnizonte parcelën me 122 bimë narkotike.

Gjatë këtij operacioni u ushtruan 15 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera, ku u sekuestruan në total 1 armë gjahu çifte, lëndë narkotike cannabis sativa, 7 aparate celularë dhe shuma monetare, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article