Kryeministri Rama gjatë prezantimit të shërbimi satelitor në Republikën e Shqipërisë tha se monitorimi i vendit me satelitë do të evidentojë ndërtimin e kateve pa leje.
Ai bëri me dije se së shpejti Shqipëria do të pajiset edhe me dronët e armatosur.
Këta të fundit janë për raste ekstreme, por janë të nevojshme për vendin.
Rama: Me satelitët nuk do ketë mundësi të ndërtohen kate pa leje. Satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës në një perimetër që mblidhet 70 cm. Ne do të krijojmë një bazë të dhënash të rëndësishme që do na japin mundësi të bëjmë shumë analiza dhe në funksion të programimit për të nesërmen. Të gjitha do t’i kemi në një pasqyrë, të vëna para nesh në mënyrë të përditësuar. Do të ketë shumë sy mbi territor dhe do të jetë e pamundur që sytë ekskluzivë të monitoruesit të territorit t’i shesin shtetit një informacion të gabuar duke bërë letra false. Satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët. Ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe të marrim dronë të armatosur. Natyrisht janë për rast ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial, por dronët kanë një tërësi funksionesh në përputhje me satelitët.