Kuvendi i Shqipërisë ka hapur seancën e sotme plenare me mbajtjen e një minute heshtje në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u qëllua për vdekje gjatë një operacioni për arrestimin e të kërkuarit Vilson Braçellari.
Ka qënë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që ka kërkuar mbajtjen e minutës së heshtjes në Kuvend dhe njëkohësisht ka dënuar me forcën më të madhe ngjarjen, duke theksuar nevojën për dënimin maksimal të autorit.
“Gjatë një operacioni të vështirë dhe plot guxim për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i fshihej policisë në malet e Korçës dhe i kishte shpëtuar rrethimeve të forcave të rendit, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë së shtetit, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga. Përulemi sot para sakrificës së dëshmorit të atdheut, Enea Mekolli. Drejtësia duhet të veprojë me forcën maksimale dhe dënimin maksimal ndaj autorit, ndërsa mirënjohja shkon për Policinë e Shtetit, e cila çdo ditë përballet me rrezikun në shërbim të qytetarëve dhe ligjit. Në emër të grupit parlamentar të PS kërkojmë mbajtjen e një minute heshtje në nderim të efektivit të policisë së shtetit, i rënë në krye të detyrës dhe i sapo shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’”, deklaroi Balla.




