Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë një njoftim të rëndësishëm që prek të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar, ose planifikojnë të aplikojnë për vizë amerikane.
Duke filluar nga data 2 shtator 2025, të gjithë aplikantët për viza jo-emigruese do të duhet të paraqiten fizikisht për një intervistë me një zyrtar konsullor. Kjo procedurë e re do të jetë e detyrueshme edhe për ata që po kërkojnë të rinovojnë vizën e tyre.
Vendimi vjen si pjesë e përditësimeve të politikave të shërbimit konsullor të SHBA-së dhe synon të rrisë sigurinë dhe transparencën në procesin e shqyrtimit të vizave.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të planifikojnë aplikimet e tyre në përputhje me këto ndryshime dhe të informohen në mënyrë të detajuar për dokumentacionin dhe hapat që duhen ndjekur përpara paraqitjes për intervistë.
Për më shumë informacion dhe për të rezervuar një takim, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë.




