Vodhi 22 mijë euro dhe sende me vlerë në 1 banesë, prangoset 51-vjeçari dhe 24-vjeçarja që i fshehu

Jugulajm.net
3 Min Read

Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Objektivi”, pasi dyshohen për një vjedhje me vlerë të konsiderueshme në një banesë në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit. Sipas policisë, autorët kanë marrë rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë, ora dore të markave luksoze, bizhuteri, parfume, çanta dhe sende të tjera me vlerë.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet vjedhja e shumave të mëdha të parave dhe e sendeve të tjera me vlerë në një banesë, në lagjen nr. 4, Durrës.

Kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të vjedhjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Volum, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Durrës, pas një pune hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, bënë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale të autorëve të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetasit A. G., në lagjen nr. 4, Durrës.

Bazuar në provat e siguruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:

A. R., 51 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, dhe S. L., 24 vjeçe, banuese në Lushnjë.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi A. R. dyshohet si autor i vjedhjes së banesës së shtetasit A. G., nga ku dyshohet se janë vjedhur rreth 22 000 euro, 800 000 lekë, ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme, parfume, çanta të markave të shtrenjta dhe sende të tjera me vlerë.

Po nga hetimet rezulton se shtetasi A. R. i ka çuar sendet e vjedhura në banesën e shtetases S. L., në Lushnjë, e cila kishte dijeni për vjedhjen dhe ka bashkëpunuar me këtë shtetas për realizimin e saj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e kësaj shtetaseje, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një pjesë e sendeve të vjedhura.

Ndërsa në banesën e shtetasit A. R. janë gjetur dhe sekuestruar mjetet me të cilat ka kryer vjedhjen, maska, çelësa dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së saj.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për gjetjen e pjesës tjetër të sendeve dhe parave të vjedhura në banesën e shtetasit A. G., si dhe për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.

Share This Article