Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e cila akuzohet për veprën penale të fshehjes së të ardhurave, të kryer më shumë se një herë.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar dyshime për shmangie të detyrimeve tatimore gjatë viteve 2023 dhe 2024, në një vlerë totale prej 6.075.521 lekësh të reja.
Nga akti i ekspertimit kontabël rezulton se për vitin 2023, këngëtarja dyshohet se ka shmangur detyrime tatimore në vlerën 2.417.311 lekë, ndërsa për vitin 2024 shuma arrin në 3.658.210 lekë.
Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve janë evidentuar transaksione për pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara financiare, depozitime të konsiderueshme parash cash që nuk përputheshin me të ardhurat e deklaruara, si dhe tërheqje të konsiderueshme për të cilat nuk kishte informacion mbi mënyrën e përdorimit.
Për të justifikuar depozitimet në para fizike, Xhensila Myrtezaj ka deklaruar se të ardhurat vinin nga koncertet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Megjithatë, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur për të mbështetur këto pretendime ka justifikuar vetëm një pjesë të shumave.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se fshehja e të ardhurave është kryer në dy vite të ndryshme kalendarike dhe si rrjedhojë e ka dërguar çështjen për gjykim, për veprën penale të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.




