Elisa, ky yll i zbukuruar me byrek dhe dhallë…

Jugulajm.net
3 Min Read

Nga Arben Rrozhani

Në 12 shkurt 2026, mediat në Austri dhe Zvicër kishin një titull për skandalin e ministres së Jashtme të Austrisë Beate Meinl-Reisinger. Kjo zonjë nuk kishte bërë ndonjë thagmë, por, pak ditë pasi kishte shkruar në X, se “E kemi seriozisht me “kursimin në sistem” dhe po e zvogëlojmë aparatin administrativ”, ftonte homologet nga Shqipëria dhe Filipinet, përkatësisht Elisa Spiropali dhe Maria Theresa Parrenzo Lazaro, në Ballon e Operës së Vjenës.

Problemi ishte te shifra e lartë e akomodimit në lozhë, ku çmimi nis nga 40 mijë euro dhe shkon deri dyfish sepse shoqërohet edhe me shampanjë, prandaj taksapaguesit austriakë ishin të tërbuar pse harxhoheshin paratë e tyre për dy vende kaq pa peshë në arenën e diplomacinë botërore.

Dy javë ma vonë Spiropali u shkarkua nga detyra e kryediplomates së Shqipërisë, ende pa i ikur shija e shampanjës së shtrenjtë të pirë në lozhën vjeneze.

Sot, në një reagim të gjatë dhe patetik, drejtuar kundërshtarëve në politikë, media dhe shoqëri, Elisa mohoi se e pinte shampanjën, ashtu si dhe verën, sepse pi vetëm ujë ose dhallë dhe me to përcjell byrekun me spinaq ose hithra, sepse, siç u thotë shqiptarëve, nuk pëlqen as havjarin dhe as koranin.

Elisa, para se të mbërrinte në këto ditë “revolucionare” ka qenë gruaja më e promovuar në historinë e shtetit shqiptar. Nga viti 2013 kur u emërua drejtoreshë doganash, 11 vite më pas u emërua numri 2 i shtetit, një karrierë që do ta kishte zili çdo grua.

Kur ajo u emërua më 31 dhjetor 2018, ministre për marrëdhëniet me parlamentin, politika dhe mediat u rikthyen 5 vite pas kur ajo u emërua në krye të doganave dhe iku prej andej me çfarë thonë gojët e liga me 5 milionë euro, sepse periudha e drejtimit të saj, sipas raportit të agjencisë britanike “Crown Agents”, ishte e zezë për buxhetin e shtetit dhe bëhej fjalë për një dëm rreth 17 milionë euro.

U nxorrën nga arkivat fotot e Elisës aktiviste kockë e lëkurë, e pistë dhe e shëmtuar duke protestuar kundër qeverisë socialiste të Fatos Nanos dhe vendosën përballë fotot e ditës së Elisës ministre, të kuruar, me kostume firmato, me shofer dhe truproje, që ecte mbi një GLA 200.

Tetë vite më pas Elisa është lart e më lart në standardin e jetës, që me rrogën e shtetit nuk do të kishte arritur kurrë, por, siç na tregoi sot, rroftë uji dhe dhalla, byreku me spinaq dhe hithra dhe këtë dietë popullore ngriti shtëpi dhe katandi, biznese dhe firma për vete, familjen dhe të afërmit.

Share This Article