Protesta në Kosovë, jo për emra, por për vlera!

Jugulajm.net
4 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Protesta në Kosovë është kërkesa dhe këmbëngulja, e një populli të tërë në të katër anët e Botës kudo që ndodhet,  që kërkon të mos harrojë  Ajo që ndodhi dje në Kosovë nuk ishte thjeshtë një protestë për të shpëtuar emra politikë, por një ngritje dinjitoze e qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit  në mbrojtje të një trashëgimie të përbashkët: Luftës Çlirimtare të UÇK-së, e cila nuk ishte, aq më pak të jetë apo të behet  një pronë e partive, as e individëve, apo individi kushdo qoftë ky.

Protesta dje ishte  por një përpjekje mbarë kombëtare që bashkoi zemrën e Kosovës, shpirtin e Shqipërisë dhe veçanërisht fuqinë e diasporës në mërgatë. Protesta ishte më shumë se një kundërshtim ndaj padrejtësisë: ajo ishte një refuzim i turpit që po mundohet t’i vishet një lufte të pastër, përmes një narrative që po ndërtohet në zyrat e huaja dhe po përthithet pa rezistencë nga një klasë politike që e ka humbur busullën morale. Ishte zëri i qytetarit të ndershëm – që kurrë nuk kërkoi pushtet, por që gjithmonë ka mbajtur mbi supe barrën e lirisë dhe të shtetit. Qytetari kosovar, ndryshe nga politika e vet, nuk ka asgjë për të fshehur. Ai nuk ka blerë prona pas lufte, nuk ka kthyer kontributin në privilegj, dhe nuk ka nënshkruar marrëveshje që zhbëjnë fitoren e tij. Ai ka dhënë gjithçka: djemtë në luftë, lekët nga mërgimi, mbështetjen morale, dhe sot po jep edhe durimin. Por durimi nuk është pafuqi. Është përballje në pritje të një drejtësie që s’duhet të jetë vetëm e huaja. Mos të harrojmë: roli i diasporës nuk ka qenë vetëm financiar. Ishte diaspora ajo që mbajti gjallë idenë e Kosovës kur ajo rrezikonte të përmbytej nga dhuna dhe harresa. Janë ata që ndihmuan në armët e para, në mobilizimin e opinionit ndërkombëtar, në sigurimin e ndihmës humanitare.

Sot, ironikisht, shumë prej tyre ndihen të tradhtuar jo nga bota, por nga vetë Kosova institucionale që nuk i përfaqëson më. Gjykata Speciale, me gjithë retorikën e drejtësisë, është kthyer në një arenë ku gjykohet historia jonë me sy të huaj, me dëshmitarë të importuar dhe me standarde që nuk do guxoheshin të aplikoheshin për ndonjë fuqi të madhe perëndimore. E për më keq, kjo ndodh me miratimin e heshtur të një elite që ka ndërtuar rehatinë e saj mbi harresën e popullit dhe mbi përuljen përballë çdo kërkese që vjen “nga jashtë”. Kjo elitë nuk ka as fisnikëri për të përfaqësuar, as kurajë për të reaguar. Ndërsa qytetari reagon. Qoftë edhe me një pankartë, me një qëndrim, me një fjalë të drejtpërdrejtë: “Mjaft më!” E keqja nuk është vetëm padrejtësia ndaj liderëve që sot ndodhen nën gjykim – është zhveshja e Kosovës nga dinjiteti, nga kujtesa, dhe nga e drejta për ta përfaqësuar veten.

Dhe kur përfaqësimi kalon nga përulja te servilizmi institucional, shteti nuk është më një ideal, por një ndërmarrje e zhbërë në duar të kujtdo që pranon të heshtë mjaftueshëm gjatë. Sot nuk jemi në një betejë për të ndaluar drejtësinë, por për të ndalur shkatërrimin e së vërtetës. Dhe më shumë se kurrë, kjo është detyrë e qytetarit të ndershëm, e diasporës me dinjitet, dhe e çdo shqiptari që beson se shteti nuk ndërtohet mbi gjunjë, por mbi këmbë.

Share This Article