Ditën e sotme ka marrë detyrën Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita. Fjalën hapëse në ceremoni e mbajti zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
“Zgjedhja e tij në krye të Policisë, tregon se si ecet në shkallët e karrierës. Detyra e parë e drejtorit të ri të policisë, është forcimi i standardit të policisë, i kësaj organizate, që është ndër organizatat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Policia ka rol kyç në procesin e integrimit të vendin në BE Uniforma e Policisë së Shtetit të mbahet vetëm nga ata që e meritojnë”, tha Koçiu.
Hita pason në këtë detyrë Ilir Prodën. Ai iu nënshtrua një konkursi mes 14 kandidatëve, të cilët kaluan në filtrin e Komisionit të Posaçëm në Ministrinë e Brendshme, në garën e hapur më 3 mars.
Hita ka shërbyer në polici nga veriu në jug, me karrierë në ngjitje në 10 vitet e fundit. Një prej detyrave më të rëndësishme ishte drejtimi i Policisë së Shkodrës në vitin 2021. Së fundmi, Skënder Hita drejtonte Fierin, qark i rëndësishëm me potencial krimi.




