Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në aksin rrugor ”Fier–Levan”, pranë të ashtuquajturës “Kthesa e Zhupanit”, një segment i njohur për qarkullim të dendur gjatë sezonit veror.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet ka humbur kontrollin e drejtimit dhe është përplasur me një shtyllë elektrike anës rrugës. Si pasojë e përplasjes, është plagosur drejtuesi i mjetit, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën kujdesin e mjekëve.
Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin elektrik, duke rrëzuar kabujt e tensionit të lartë në rrugë, çka ka penguar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në këtë segment të ngarkuar.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Njëkohësisht, punonjës të OSHEE janë angazhuar për të riparuar defektin në rrjet dhe për të rikthyer qarkullimin normal të energjisë dhe trafikut.




