Rrugën nga shtëpia e deri tek Qendra Shëndetësore në Memaliaj, Doktor Sefer Shehu-Profesori, siç e thërrasin në atë qytet, e nis në të njëjtën orë si 53 vite më parë. Është njësoj i shqetësuar për shëndetin e njerëzve, por në kulmin e aftësive profesionale, doemos me hapa më të matur, por të sigurt. Hapa, të cilët “nuk guxojnë” asnjë ditë, që të mos ta çojnë në orarin e duhur në Qendrën shëndetësore.
Edhe pse janë më të paktë banorët e sotëm të atij qyteti, ata mjaftojnë për ta përshëndetur njëri pas tjetrit, thuajse në çdo hap që hedh. Doktori i përshëndet me të njëjtën energji, me të njëjtin respekt, e me të njëjtën dashuri, si…53 vite më parë.
Por nuk janë vetëm ata që banojnë në qytet. Përkundrazi, gjithë ish minatorët nga të shtatë fshatrat e Memaliajt, vijnë dhe kërkojnë doktor Seferin. Sepse ai ua ka njohur problemet, qysh atëherë kur ishin djem të rinj, kur punonin në minierë.
Prandaj ata vijnë nga Gjirokastra, Përmeti, Buzi, Lopësi, madje vijnë edhe nga… Ksamili, ku kanë shkuar dhe banojnë shumë nga ish minatorët. Libri i vizitave që ka çelur me shkrimin e tij në janarin e vitit të largët 1972 kur ai u emërua drejtor i Qendrës, regjistron plot 256.000 vizita të kryera prej tij, për 25 vjet rresht.
Doktori i ka ruajtur kartelat e tyre dhe i mjafton një shfletim, për të parë problemet e mbartura, përpara se të nisë vizitën e radhës…
Ndër gjithë ata që kanë shkruar për Doktor Sefer Shehun, do veçoja pak rreshta nga intelektuali Martin Cukalla që ishte inxhinier në minierë, e që sot është ndër penat e spikatura në letërsi.
…“Doktor Sefer Shehu e nisi punën me vrullin e një të riu, por edhe me një qetësi të admirueshme prej shkencëtari. Ndër vite kisha shoqëruar mjekë të minierës, nëpër galeritë e saj. Thuajse për të gjithë ata, miniera ishte një ambient i frikshëm dhe ndotës, deri në neveri. Kam përjetuar frikën e tyre dhe krupën kur shikonin fytyrat e nxira të njëri-tjetrit nga pluhuri i zi. Por ne inxhinierët nuk e çanim kokën për vogëlsira të tilla, madje bënim gallatë me “intelektualizmin” e mjekëve. Këto sjellje nuk i pashë tek Doktor Seferi, as herën e parë që u fut në minierë. Ai kishte një qëndrueshmëri intuitive, e cila u bë çelësi i personalitetit të tij si mjek, por edhe i dashurisë së tij, për pacientin me emrin “minator”…
Në zyrën e tij, gjetëm kohën për të zhvilluar një Intervistë me të.
NËNA IME, PACIENTJA E PARË…
Përshëndetje profesor Seferi! Gëzoj që ju njoh nga afër, sepse jeni emër kaq i mirënjohur në gjithë Shqipërinë e Jugut, e nuk kam pasur rastin t`ju takoj. A e kujtoni ditën e parë të punës suaj në Memaliaj?
Historikisht në anët tona, kur njerëzit kërkonin usta të mirë për të ndërtuar shtëpinë dhe u rekomandohej ndonjë emër, bënin pyetjen: -Është bërë usta në shtëpinë e tij, apo në shtëpitë e të tjerëve?
Konteksti ishte i qartë. Pra ai që kishte mësuar zanatin duke ndërtuar shtëpinë e tij, ai ishte edhe më i preferuari.
Nuk e “llogarita” unë që të bëhesha “usta në shtëpinë time”, por e solli vetë jeta. Nëna ime u sëmur, ditën e parë të punës sime si mjek. Isha në ankth të dyfishtë, si mjeku për të sëmurin, e si biri për nënën e tij.
Nëna e pikasi shqetësimin tim. Dhe atë ditë, ditën e parë të punës sime, ajo më dha këshillën e artë të saj. Një këshillë që unë e kam vëth në vesh, edhe sot. Nëna më tha fjalë për fjalë: -“Ashtu siç merakosesh për mua sot, dua të merakosesh për të gjithë njerëzit, gjatë gjithë jetës tënde”!
A thua që nëna ime ta dinte peshën e asaj Porosie të madhe që më la? Besoj se po, sepse aq sa më ka dashur, aq edhe më ka kërkuar llogari kur isha i vogël.
Por po atë ditë, ditën e parë të punës, mbi supet e mia djaloshare, rëndonte edhe një barrë e madhe, në kuptimin e paraardhësve të mi.
Sepse ka rëndësi fakti, se cilin zëvendëson, e cilët kanë qenë ulur në karrigen ku sapo u ule ti. Unë vija në atë detyrë të shenjtë, pas emrave të mëdhenj të Mjekësisë shqiptare, si prof. Arqile Çaçi, prof. Mantho Nakuçi, e të tjerë që kishin punuar aty.
E pra, duhej tendosje e fortë në studim, kërkim serioz në atë fushë, por edhe njohje e thellë e ambienteve dhe kushteve të punës, për të cilat më duhej të kërkoja përmirësim.
Sepse mjeku është shërues, të cilit vazhdimisht i punon mendja në këtë drejtim. Durimi, këmbëngulja dhe qëllimi i tij, është rritja e aftësisë shëruese. Por këtu futen edhe karakteri dhe temperamenti i njerëzve, me të cilat duhet të përballet mjeku. Janë këta dhe shumë faktorë, të cilët plotësojnë figurën klinike të të sëmurit.
Prandaj mjeku duhet të marrë përmes librave dhe mundësive të tjera që i jepen sot, njohuritë e duhura. Por çdo i sëmurë, është një libër më vete. Sa më shumë të sëmurë të ketë kaluar mjeku në jetën e tij, aq më i madh është Libri i tij i Jetës, aq më të shumta janë njohuritë e përftuara, që quhen përvojë”…
Të trajtosh një të sëmurë është detyrë dhe humanizëm, të trajtosh një të shëndetshëm është mençuri. Por t`i bësh të dyja këto, do të thotë se “njeriu” brenda teje funksionon mirë, shoqëruar me mjekimin, kuptohet…
QENDRA MJEKËSORE, QË BËRI HISTORI…
Çfarë bëtë menjëherë sapo filluat punë?
Përgjigje: Jam i lumtur edhe sot, që Ministria dhe gjithë organet e shtetit më mbështetën në kërkesat e mia për hapjen dhe kompletimin e asaj Qendre me mjekë dhe personel ndihmës, por edhe me ambiente. Ishin pesë Ambulanca me personel prej 33 vetësh.
Ishte e para minierë në vendin tonë që kishte Qendër Mjekësore, e mbas nesh u ngritën të tilla Qendra, në të gjitha minierat e vendit. Ajo Qendër që i shërbente të gjithë komunitetit, u mbyll në vitin 1996.
Tri ishin sëmundjet kryesore në minierë; sëmundjet e mushkërive; sëmundjet e stomakut dhe aksidentet. Kurse sëmundjet profesionale që bënin pjesë në “Grupi i XIV”, nuk ekzistonin në minierën e Memaliajt.
Në minierën tonë, si edhe në minierat e gjithë botës, kur futej punëtori në galeri, e uronin:-“Dalç mirë”! Sepse jo rastësisht vendi i punës në minierë quhet Front. Dhe fjala Front, përdoret vetëm në dy raste. Në luftë dhe në minierë. Në minierë, ku njerëzit shkojnë të punojnë për bukën e përditshme të familjes së tyre. Prandaj ata punëtorë do duhej të stërviteshin, ashtu siç zhvillohet stërvitja në ushtri..
E prandaj tre muaj mbasi nisa punë, fillova mësimin dhe përgatitjen e punëtorëve për dhënien e ndihmës së parë (ajo që sot i thonë “trajnim”). Për këtë ngrita grupe të përshtatshme nga mosha, niveli dhe njohuritë, të cilëve u mësoja dhënien e ndihmës së parë. Sepse asnjë doktor miniere në botë, nuk mund të jetë njëherazi në zyrë, e në të gjithë frontet ku punojnë njerëzit e thellësive. Pra ata, duhet të ishin “doktorët” e çastit të parë, aty ku ndodhte aksidenti apo goditja.
Dhe pati kaq sukses kjo, saqë m`u ngarkua detyrë nga Ministria e Shëndetësisë që ta përgatisja si Temë të shtjelluar në të gjithë gjerësinë e saj. E mbajta këtë temë në një Konferencë shkencore Kombëtare në Tiranë, ku mori vlerësimet më të larta, madje u cilësua tezë qeveritare dhe u printua për nevojat e gjithë minierave të vendit. U zbatua në praktikë kjo temë, edhe para kamerave, madje me angazhimin edhe të Repartit të helikopterëve të Farkës së asaj kohe për raste emergjence, ku erdhi vetë Komandanti i tyre Kolonel Lulo Musai…
MJEK, ËSHTË FJALË E MADHE…
Çfarë do të thotë të jesh Mjek?
Mjek, është fjalë e madhe. Të jesh mjek, më së pari do duhet të bëhesh mjek. E që të bëhesh mjek, ka shumë rëndësi përpjekja personale për t`u rritur profesionalisht. Por po kaq e rëndësishme ka qenë për mua, ndihma që më kanë dhënë profesorët e mëdhenj të Mjekësisë sonë. Janë disa emra të cilëve u detyrohem.
Në krye të atyre emrave, mbetet përjetësisht, emri i Profesor Shefqet Ndroqit. Ai ka ndihmuar shumë në ngritjen time profesionale. Ia detyroj ndihmesës së tij faktin, që nuk pata asnjë humbje jete në minierë, nga sëmundja e tuberkulozit. Jo vetëm më mësonte, por më sillte edhe shembuj nga përvoja e tij unikale, në trajtimin rast pas rasti.
Njerëzit e mëdhenj, i kemi pasur të pakët. Por ajo që i karakterizon të gjithë njerëzit e mëdhenj në çdo vend dhe kohë, është mungesa e kompleksitetit. Ata të përkushtohen me gjithë shpirt, e të japin pa kursim përvojën e tyre të vyer. I vetmi “kusht” që kanë ata, është që ti duhet të jesh serioz dhe i përkushtuar për të mësuar.
Njëri ndër këta të paktët me të cilin më lidhi puna, ishte profesor Shefqet Ndroqi. Nderim pafund, asaj figure të ndritur të Mjekësisë sonë!
E solla këtë argument, sepse është e lehtë të shkruash receta, por më së pari duhet mirëkuptimi me njeriun e sëmurë. E kjo arrihet përmes komunikimit me të, komunikim me “gjuhë të lagët”, e jo me gjuhën e drunjtë, siç jo rrallë ndodh këto kohëra. Dhe që të mbështes sa thashë më lart, do të citoj Mjekun e madh që quhet ”babai” i Mjekësisë moderne, Prof. Uilliam Osler: -”Ai që studion mjekësi pa libra, lundron në një det të panjohur. Kurse ai që studion mjekësi pa pacientë, nuk arrin të dalë fare në det”…
Të jesh mjek, do të thotë të mos e njohësh rehatinë tënde personale, të rendësh orë dhe pa orë. Madje as rehatinë e familjes tënde, të fëmijëve të tu. Në këtë kuptim, i jam mirënjohës familjes sime, bashkëshortes sime që punoi mësuese gjithë jetën.
Unë u lidha shpirtërisht me minatorët. I mjekoja si pacientë, por i adhuroja si heronj. Dhe ka një sentencë kjo jetë:-“Po i deshe njerëzit, do të të duan me shpirt”. Kjo ndodhi edhe me mua. Sepse dashuria më së pari është besim, e besimi është baza e mjekimit.
Si ishin kushtet e jetesës së minatorëve?
I gjeta kushte të mira, të cilat u përmirësuan vazhdimisht. Madje do thosha edhe në gjysmën e dytë të dhjetëvjeçarit 1980, kur përjetonte vendi një krizë të pa shpallur. Menuja e minatorëve nuk lëvizi në asnjë përbërës të saj. Edhe kur në fshatrat nga vinin ata nuk kishte mish për popullsinë, racioni i minatorëve nuk u prek kurrë. Po kështu, edhe kushtet e tyre të strehimit, ishin më të mirat e mundshme.
Çdo sektor kishte banjo-garderobën e tij si edhe Infermieri Urgjence. Ishin mbi tre mijë punëtorë. I quajturi “ristrukturim” e shkatërroi minierën, ashtu si gjithë sektorët ekonomikë të vendit.
Miniera e Memaliajt u hap si ndërmarrje në Korrik të vitit 1949, me 100 punëtorë dhe në vitin 1951 u hodhën themelet e qytetit Memaliaj. Vendin e çadrave e të barakave buzë galerive e zunë godinat e para një e dy katëshe, fjetoret e punëtorëve dhe ofiçina e minierës.
Miniera e Memaliajt mbante peshën më të madhe të prodhimit në rrethin e Tepelenës. Prodhimi i saj zinte 64% të prodhimit industrial të rrethit, e jepte 48% të të ardhurave të përgjithshme financiare të rrethit. Me gjithë fjetoret e shumta të punëtorëve, shumë prej tyre banonin në fshat, duke kontribuuar edhe në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të rrethit.
Kjo minierë furnizonte me qymyr 380 ndërmarrje në gjithë Shqipërinë në 24 rrethe të vendit. Miniera arriti prodhimin maksimal të qymyrit bruto 540 mijë tonë në vit. Shifër kjo që përfaqësonte 25-30% të prodhimit kombëtar të qymyrit.
Këto nuk janë çështje të kompetencës sime, se nuk jam ekonomist. Por kam jetuar me pulsin e mbi tre mijë njerëzve, e për pasojë njoha edhe ecurinë dhe problemet e asaj ndërmarrjeje të madhe.
Ishte edhe kjo njohje, një parakusht për t`u bërë mjek. Unë vazhdoj të njëjtin ritual, me të njëjtin ritëm, prej 53 vitesh. Dhe ndjehem mirë, sepse kam të njëjtin motiv; rojë e shëndetit të njerëzve. Ky motiv më mban në një jetë aktive, sepse mendoj dhe besoj që diçka qenkam, derisa njerëzit më besojnë gjënë më të shtrenjtë që kanë, shëndetin e tyre.
Sepse vazhdoj të zbatoj me të njëjtën ndjeshmëri, porosinë që më dha nëna ime, ditën e parë që fillova punë në Memaliaj: -“Ashtu siç merakosesh për mua sot, dua të merakosesh për të gjithë njerëzit, gjatë gjithë jetës tënde”!
Dhe unë atë kam bërë e do bëj, sa të jem gjallë…




