Përdorimi i imazhit të një personi pa pëlqimin e tij, për të krijuar profile të rreme në rrjete sociale apo në çdo platformë tjetër publike, do të dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burgim.
Ky është parashikimi i nenit 842 të draftit të ri të Kodit Penal, i cili trajton për herë të parë në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”.
Sipas këtij neni, kushdo që përdor imazhin e një personi tjetër për të publikuar njoftime apo për të hapur profile të rreme në internet, pa miratimin e mbajtësit të imazhit, dhe kur ky veprim shkakton ngacmim, përndjekje ose poshtërim, do të përballet me ndëshkim penal.
Megjithatë, ndjekja penale nuk fillon automatikisht: ajo nis vetëm nëse viktima ose avokati i saj bën kallëzim pranë autoriteteve dhe pushon nëse pala e dëmtuar heq dorë nga ndjekja.
Ky ndryshim është pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen ligjore të privatësisë në epokën dixhitale dhe për të parandaluar abuzimet gjithnjë e më të shpeshta në internet.




