Gënjeshtra e Madhe e 11 Majit: Kush gënjeu, kë dhe për çfarë?

Jugulajm.net
5 Min Read

Nga Fejzo Subashi

Kush më shumë e kush më pak, i gjithë spektri politik, nga e majta në të djathtë,qofshin këto partitë e mëdha, apo ato të voglat , më gënjyen dhe na gënjyen në zgjedhjet e 11 majit. Të gjithë! Pa përjashtim.
Pak rëndësi ka se kë votova dhe për kë votuat ju. Ajo që ka vërtet rëndësi është se të gjithë më patën me hile. Jo vetëm ata që u zgjodhën, por edhe ne që i zgjodhëm. Ata që votuam, pavarësisht se janë në maxhoranc apo në opozitë, na mashtruan. Nuk mbetemi larg, apo jemi më të mirë ne që votuam sesa ata që votuam, pasi edhe ne që votuam gënjyem, pse jo edhe mashtruam vetveten. Kështu, bashkë, ata që morën votën dhe ne që e dhamë votën, mashtruam vendin. Dhe ky është realiteti më i dhimbshëm që pak kush guxon ta pranojë me zë të lartë. Unë e pranoj dhe më vret edhe ndërgjegjia.
Ata që votuam, e bënë për interesin e tyre. Ne që votuam, ndoshta për ndonjë shpresë të verbër, ndonjë iluzion të përkohshëm, ndonjë “njohje personale”. Por sido që të jetë, të keqen vendit ja bëmë si përherë. Dhe kjo është e sigurt dhe nuk diskutohet më.
Tani ajo që iku, iku. Nuk kthehet më. Tashmë rëndësi ka vetëm si do të vazhdojmë. Do konstatojmë? Do denoncojmë? Do gjykojmë? Do analizojmë? Do nxjerrin përgjegjësi dhe të vëmë mend? Apo do e shtyjmë si përherë me komente boshe kafenesh, ndërruar mes vetes dhe harresës?

As ata që fituan nuk e donin këtë rezultat të shterpët. As ata që humbën, jo që jo. As ne që votuam nuk e deshëm, por prapë atë ne më në fund e prodhuam. Dhe ky është paradoksi i përsëritur sa herë votojmë. E dimë çfarë ndodh, e kemi provuar, por sërish nuk nxjerrim mend. As mësojmë, e aq më pak ndryshojmë.
Për më tepër, jo vetëm që askush nuk mban përgjegjësi, por çuditërisht të gjithë e kërkojnë tek të tjerët. Ne kërkojmë që “të vjetrit” të largohen, por po ne jemi ata që i votojmë më shumë se të rinjtë. Ironia më e madhe është te “të rinjtë”: premtimet i kanë të pafundme, por sjelljet, qasjet, madje edhe kostumin e kanë njësoj si të vjetrit. Flasin si ata, sillen si ata, premtimet i kanë po aq të zbrazëta si ata. Ku është ndryshimi?
Pyesim veten: A duam vërtet ndryshim? Sepse nëse po, duhet të fillojmë nga vetja. Nuk mund të kërkosh ndryshim vetëm nga ata që do të votosh, nëse vetë nuk je gati të ndryshosh mënyrën si mendon, si analizon dhe si voton, si zgjedh dhe kë zgjedh. Në fund të procesit thua: – “Ua, prapë ky u zgjodh….” Jo kështu as edhe një gjë nuk ndryshon, aq më pak të realizosh atë që kërkon. Arrin dhe siguron atë , duke vepruar kështu, atë që meritojnë.

Vetëm kur të ndryshojmë ne që votojmë, do kemi shpresë të ndryshojë ajo që prodhon vota jonë. Sepse politika është reflektimi më i saktë i shoqërisë. Ndryshimi i vërtetë, i qëndrueshëm dhe me ndikim për vendin, nuk fillon në zyrat e partive, por në ndërgjegjen e votuesve. Do ndryshimin, por nuk shkon në votim, nga kush e pret?! Do opozitë të fortë, po nuk e voton?! Do qeveri dhe maxhorancë jo autokratike, ti nuk voton, votën deformon. Pra tjetër gjë kërkon dhe nga kush tjetër e kërkon ta arrish . E deri sa të veprojmë kështu me gjënë më të shenjtë që ka në dorë fatin e vendit, kështu do ndodhë.
Deri atëherë, do të na gënjejnë dhe do gënjejmë vetveten sa herë votojmë. Dhe vendi, si gjithmonë, do jetë ai që paguan çmimin më të lartë.
Tiranë më 25.07.2025.

Share This Article