Pas rreth 30 vitesh arkeologët janë rikthyer sërish në muret e kalasë së Gjirokastrës, ku kanë nisur sërish gërmimet që synojnë të hedhin dritë mbi historikun e kësaj kështjelle në kohë akoma më të hershme.
Aktualisht gërmimet, që drejtohen nga Instituti Kombëtari Trashëgimisë Kulturore, janë fokusuar tek hyrja kryesore të kalasë.
Gërmimet arkeologjike synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.
Për arkeologen e re Pamela Llapaj, bëhet fjalë për fragmente që janë indentifikuar si themele të hershme të një fortifikimi në shekullin VI të erës sonë mbi të cilat është ndërtuar më pas kështjella e qytetit.
Sipas kreut të DRKK Gjirokastër Ardis Duka, kërkimet arkeologjike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës në disa prej zonave kryesore të kalasë së Gjirokastrës.
Kalaja e Gjirokastrës përmendet për herë të parë në vitin 1336.
Historianët mendojnë së egzistenca e kësaj kështjelle është më e hershme. Kalaja e Gjirokastrës është monumenti historik më i vizituar në vendin tonë.



