Policia e Tepelenës ka zhvilluar një tjetër operacion antidrogë në kuadër të planit kombëtar “Kordinata”, duke zbuluar dhe asgjësuar 195 bimë narkotike të dyshuara si kanabis në fshatrat malorë Mamaj dhe Progonat.
Gjatë kontrolleve në njësinë administrative Qendër, në fshatin Mamaj, u gjetën 149 bimë të mbjella në një zonë të thellë, ndërsa për këtë rast është proceduar penalisht kryetari i fshatit Mamaj, shtetasi me iniciale M. Z., i cili akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Operacioni vijoi më pas në njësinë administrative Kurvelesh, ku në fshatin Progonat u zbuluan edhe 46 bimë të tjera kanabisi, të cilat u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies.
Njoftimi i policisë:
Tepelenë/Vijon plani operacional policor antidrogë, i koduar “Koordinata”.
Gjenden në territoret e fshatrave Mamaj dhe Progonat, si dhe asgjësohen nëpërmjet djegies, 195 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Procedohet penalisht, për shpërdorim të detyrës, kryetari i fshatit Mamaj.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve të territorit, me dron, që kanë objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe ato të Komisariatit të Policisë Tepelenë gjetën 195 bimë të tjera të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, konkretisht:
-në njësinë administrative Qëndër, në fshatin Mamaj, u gjetën 149 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, për kryetarin e këtij fshati, shtetasin M. Z.;
-në njësinë administrative Kurvelesh, në fshatin Progonat, u gjetën 46 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.
Kontrollet vijojnë.