Çmimet e naftës shënuan rritje të martën, ndërsa tregu global i energjisë mbetet në gatishmëri të lartë për shkak të frikës nga ndërprerjet e furnizimit, të nxitura nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.
Rritja e çmimeve, e nisur që javën e kaluar, ka filluar të reflektohet edhe në çmimet e karburantit. Vetëm të martën, çmimi mesatar i një galoni benzine të rregullt në SHBA u rrit me tre cent, duke arritur në 3.17 dollarë.
Ndërkohë, në tregtinë e fundit, kontratat afatshkurtra për naftën amerikane u rritën me 2.9%, duke kapur vlerën prej 73.90 dollarë për fuçi – niveli më i lartë që nga fundi i janarit. Kjo rritje vjen pas një rënieje prej 1.7% që u shënua të hënën.
Sulmet e paprecedentë të Izraelit ndaj objektivave iraniane javën e kaluar shkaktuan një rritje prej 13% në çmimet e naftës, rritja më e madhe javore që nga tetori i vitit 2022.
Frika më e madhe në treg është hakmarrja e mundshme nga Irani, i cili mund të godasë infrastrukturën jetike të eksporteve të energjisë në Lindjen e Mesme, një rajon që përmban rreth gjysmën e rezervave globale të naftës.
Në fokus të veçantë është Ngushtica e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike që lidh Gjirin Persik me tregjet ndërkombëtare. Tensioni u rrit edhe më tej pas një incidenti me një cisternë nafte pranë ngushticës të hënën, duke theksuar edhe një herë rolin kritik të kësaj pike për tregtinë globale të energjisë.




