Nga Fejzo Subashi
Sot vet politika, politikbërja dhe qarqe diplomatike në Shqipëri dhe jashtë saj, po e kuptojnë se në lidhje me reformën në drejtësi, jo që nuk kanë bër më të mirën e mundshme, por e katandisen më keq sesa e kishim. Për të ardhur keq është qëndrimi në lidhje me konceptin e funksionit të SPAK- ut.
Në debatet publike dhe në narrativën mediatike, shpeshherë SPAK-u paraqitet si simboli suprem i drejtësisë së re, si maja e piramidës, madje si instanca e fundit e moralit dhe drejtësisë në vend. Kjo nuk është thjeshtë një keqkuptim i rrezikshëm, por ndoshta edhe i qëllimshëm.
Më e keqja është se aktorët e kësaj ide të gabuar, janë pseudoprofesionist e drejtësisë, pavarësisht gradave dhe titujve që kan, të cilët po shkelin parimin dhe parimet e drejtësisë…
SPAK-u, me gjithë rolin e tij të rëndësishëm, nuk është koka e drejtësisë. Ai nuk është as instanca përfundimtare e vendimmarrjes ligjore, as garantuesi i fundit i barazisë para ligjit. Jo profesioniistët dhe kokat e juridikut, ku realishtë është keqardhje për dijet e tyre që pranojnë këtë realitet, por kushdo që ka pak njohuri e di shumë mirë që SPAK-u është thjeshtë një organ i akuzës, një prokurori e posaçme e ngritur për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Pra, SPAK-u është një palë në procesin penal, jo arbitri dhe jo drejtësia vetë.
Kur organi i akuzës fillon të shfaqet si autoritet moral absolut, drejtësia e vërtetë fillon të vuajë. Sepse drejtësia është një sistem i balancuar midis hetimit, mbrojtjes dhe gjykimit. Kur njëri prej këtyre roleve del nga binarët ose glorifikohet përtej funksionit të vet, vetë sistemi humbet balancën.
Dhe pikërisht këtu lind shqetësimi: me veprimet dhe mosveprimet e tij, SPAK-u po jep gjithnjë e më shumë shenja jo të forcimit të drejtësisë, por të një instrumentalizimi të saj. Jo vetëm përmes selektivitetit në hetime dhe ndjekje penale, por edhe përmes heshtjeve të gjata për çështje të rënda që kërkojnë urgjencë ligjore e morale.
A mund të flasim për drejtësi të barabartë kur çështje që prekin pushtetin aktual trajtohen me kujdesin e një gjilpëre, ndërsa çështje që prekin opozitën bëhen spektakël publik? A është drejtësi kjo, apo ndjekje politike me mjetet e ligjit?
SPAK-ut nuk i kërkohet as të jetë tribunë popullore, as institucion që shpëton vendin nga korrupsioni brenda natës. I kërkohet vetëm një gjë: të jetë i drejtë, i barabartë dhe i ndershëm në ushtrimin e funksionit të vet. Por nëse ai dështon në këtë detyrë, atëherë nuk kemi të bëjmë me një rrezik vetëm për individët, por me një rrezik për vetë besimin në drejtësi.
Drejtësia nuk është spektakël. Dhe nuk është as propagandë. Ajo është një proces i ndjeshëm, i bazuar në fakte, prova dhe barazi para ligjit. SPAK-u duhet ta dijë këtë më mirë se kushdo.