Nga Arben Llangozi
Ka një kohë që hesht. Po shoh, po dëgjoj, po përtyp, sepse si çdo qytetar që beson ende te fjala “shtet”, shpresoja se ndoshta e kishim kapur fundin dhe do të fillonte një ringritje.Por jo. Nuk jemi në ringritje. Jemi në rikompozim të absurdit, ku padrejtësia vishet me kollare të re, ndërsa qytetari me shpresë vishet me pritje.
Po flas për drejtësinë “e re”, atë që na u shit si shpëtimi i kombit, si zgjidhja e madhe ndaj korrupsionit të drejtësisë së vjetër. U dëgjuan fjalë të mëdha, vetting, SPAK, transparencë, ndëshkim i të korruptuarve, gjykata funksionale. Dhe ne, njerëzit e thjeshtë, shpresuam. Sepse nuk kërkonim mrekulli,vetëm një proces të ndershëm, një afat normal, një gjyq që mbahet.
Por ja ku jemi sot, dosjet mblidhen pluhur në sirtarë;Gjykatat japin afate si agjenci udhëtimi, “nëse ke mik, ik nesër; nëse jo, e shohim pas një viti”;Nuk bisedohet më për drejtësi, bisedohet për “a e njeh dikë brenda”?Datat e gjyqeve janë bërë si bileta koncertesh të rralla, me radhë të gjatë dhe të rezervuara për “VIP-ët” e sistemit. Apo si biletat e Armando Dukës kur luan kombëtarja Shqiptare. Pra, nuk jemi përmirësuar. Jemi modernizuar në abuzim.
Në vend të zarfit, sot nevojitet telefonata e duhur. Në vend të presionit të hapur, sot vjen “shkurt” një mesazh: “thuaji t’i hedhë një sy çështjes, se është urgjente…”.
Kjo është drejtësia që duam? Kjo është transparenca që na u premtua? Dikur quhej korrupsion. Sot quhet “rrugë alternative”. Ironia më e madhe? Institucionet vetë e dinë këtë realitet. E dinë gjyqtarët, e dinë sekretarët, e dinë avokatët. E dinë prokurorët. Por askush nuk flet. Sepse është më komode ta lësh sistemin të kalbet ngadalë, mjafton të mos të prekë ty sot.
Po qytetari? Ai endet. Me një vendim të pezulluar, me një datë gjyqi që nuk vjen, me një të drejtë që nuk dëgjohet. Ai që nuk ka mik, nuk ka gjyq. Ai që nuk ka lidhje, nuk ka afat. Dhe në fund, ai që ka të drejtë, nuk ka asgjë.Mos mendoni se po flas nga mllefi personal. Jo, po flas sepse e shoh përditë këtë skemë të heshtur që po i ngul thikë besimit qytetar. Dhe kur nuk ka më besim te drejtësia, nuk ka më as shtet.




