Nga Fejzo Subashi
Shpesh nga nevoja për zgjidhjen e problemeve, paragjykimi zë vendin e realitetit, kjo shpesh edhe nga nxitimi në zgjidhjen e shqetësimit.
Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli nga administrata. Kërkojnë vetëm profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri. Kur këto bashkohen te njeriu i duhur, edhe problemet më të vështira gjejnë zgjidhje. “Më vjen keq jo që je lodhur kaq shumë, por që je shqetësuar dhe ke shqetësuar një dikaster të tërë dhe vetë titullarin.”
Kështu e nisi bisedën drejtori rajonal i OSHEE-së për qarkun e Gjirokastrës, z. Altin Zilfo, kur shkova në zyrën e tij për të diskutuar situatën e energjisë elektrike në disa fshatra të Bashkisë Këlcyrë. Shpesh nxitohemi të gjykojmë përpara se të njohim realitetin. Drejtori rajonal i qarkut Gjirokastër për OSHEE zgjidhjen e gjen te përgjegjësia, jo te burokracia . Është shumë e vërtetë thënia popullore se “uji del i kulluar në burim, por turbullohet rrugës”. Jo rrallëherë specialistë, shefa apo drejtues të niveleve të ndryshme, qoftë nga paaftësia, qoftë nga frika për t’ia paraqitur të vërtetën eprorëve, krijojnë situata të pakëndshme, ku humbësi më i madh mbetet qytetari që nuk merr shërbimin që i takon.
Situata e energjisë elektrike në disa fshatra të Dëshnicës, në Njësinë Administrative Ballaban të Bashkisë Këlcyrë, ishte vërtet shqetësuese. Pasi e verifikova vetë në terren dhe ndoqa hap pas hapi problemin, kuptova se gjithçka ishte në kufijtë kritikë. Rrjeti elektrik ishte ndërtuar që në vitin 1974, i amortizuar dhe jashtë standardeve të sotme. Në disa raste, abonenti i fundit ndodhej më shumë se katër kilometra larg kabinës furnizuese.
Banorët ankoheshin jo vetëm për mungesën e cilësisë së furnizimit, por edhe për përgjigjet zhgënjyese që merrnin në emër të titullarëve. Por realiteti ishte ndryshe. As drejtori rajonal, z. Altin Zilfo, nuk kishte dijeni për gjendjen konkrete, e jo më drejtori i përgjithshëm apo ministri.
Edhe unë, me sinqeritet, e pranoj se gabova. Në përpjekjen për të zgjidhur problemin, nisa nga lart, kur në fakt zgjidhja duhej të fillonte nga poshtë. Sot pyes veten: pse kemi këtë mani që çdo çështje ta ngjisim menjëherë në nivelet më të larta? Në fund të fundit, edhe zgjidhja e këtij problemi do të fillonte dhe do të përfundonte në strukturat që e kishin për detyrë.
Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi për mua nuk është vetëm fakti se një shqetësim i komunitetit po merr zgjidhje. Mbi të gjitha, është njohja me njerëz që, me thjeshtësinë, ndërgjegjen dhe përkushtimin e tyre, i bëjnë nder institucionit, shoqërisë dhe vendit.
Nuk gjej fjalët e duhura për të vlerësuar z. Altin Zilfo. Ai nuk është vetëm një inxhinier i përgatitur dhe një drejtues i aftë, por mbi të gjitha një njeri i përgjegjshëm. Nuk kërkoi të justifikonte mungesën e informacionit. Nuk kërkoi të transferonte përgjegjësinë te të tjerët. Nuk ngriti pengesa burokratike dhe as nuk kërkoi urdhra shtesë.
Përkundrazi, ai u përqendrua te zgjidhja.
“Më lër pak kohë. Të tjerat janë përgjegjësi dhe detyrime për ne”, më tha.
Kur e pyeta nëse duhej të ndërhyhej përsëri në dikaster për të siguruar bazën materiale të nevojshme, përgjigjja e tij ishte e qartë:
“Jo. Bazën materiale e kam këtu. Vënia në dijeni është detyrimi juaj; pjesa tjetër është detyrimi ynë.”
Sot jam dëshmitar se situata ka marrë rrugën e zgjidhjes. Por edhe më i lumtur jam që pata mundësinë të njoh një drejtues që e kupton peshën e detyrës dhe e ushtron atë me profesionalizëm e ndershmëri.
Prandaj, mirënjohja ime shkon për z. Altin Zilfo dhe për punën që ai bën në krye të Drejtorisë Rajonale të OSHEE-së në Gjirokastër. Ai meriton vlerësim jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën se si i arrin ato.
Madje, meritë kanë edhe ata që e kanë emëruar në atë detyrë. Nëse në këtë rast kanë menduar për interesin e partisë, pa dashur i kanë bërë një nder edhe më të madh qytetarit, institucionit dhe vetë OSHEE-së.
Prandaj, të nderuar politikëbërës, po gabuat gjithmonë kështu në përzgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve, atëherë këto “gabime” janë ndër më të dobishmet që mund t’i bëhen vendit.




