EMRI/ Prangoset shqiptari që drejtonte grupin kriminal vetëm me italianë

Jugulajm.net
6 Min Read

Një grup kriminal që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Gargano në rajonin e Pulias (Puglia) në Italinë jugore dhe në rajonet të tjera është shkatërruar gjatë një operacioni të policisë italiane. Mediat italiane shkruajnë se grupi që kishte në përbërje kryesisht shtetas italiane drejtohej nga një shqiptar, Elidon Buxheli.

Në pranga kanë rënë 11 persona, mes tyre dhe 48 vjeçari shqiptar por që banonte në Itali dhe i dyshuar si kreu i grupit, ndërsa të tjerët janë me origjinë nga Lesina, San Severo, Termoli, San Marco in Lamis dhe Cerignola.

Shqiptari dyshohet se ka promovuar, organizuar dhe drejtuar aktivitetin e paligjshëm së bashku me dy italianë, Di Nauta dhe Cursio.

Në dosjen prej 100 faqesh zbulohet se droga shpërndahej në Gargano edhe jashtë rajonit, me udhëtime nga Lesina drejt San Benedetto del Tronto, ku në një episode janë dorëzuar 13 kilogramë hashash.

Sasi të papërcaktuara kokaine dyshohet se janë transportuar nga Lesina në Cerignola nga vetë Buxheli, i cili shërbente gjithashtu si furnizues i hashashit dhe kokainës për Cursio, Sacco, Folla dhe Di Nauta.

Emri i Buxhelit përmendet vazhdimisht në dosje.  Ai vepronte në hije, por sipas hetuesve, është ai orkestruesi i trafikut të drogës që nga brigjet e Adriatikut furnizonte tregjet e shpërndarjes në Itali.

Një figurë e lartë në tregun e drogës, në gjendje të menaxhojë sasi të mëdha kokaine dhe hashashi, duke ruajtur kontaktet me importuesit, shkruan media italiane.

Janë arrestuar dhe dërguar në burg Elidon Buxheli, 48 vjeç, i njohur si “Leo – Nano Malefico”, Antonio Rocco Augelli, 61 vjeç, i njohur si “Tonino bar Jolly”, Angelo Di Nauta, 41 vjeç, i njohur si “Purnecchj – Attila”, Emanuele Francesco Di Guglielmo, 35 vjeç, i njohur si “Zuill”, Raffaele Antonio Bramante, 47 vjeç, Alessandro Maria Colella, 39 vjeç, Leonardo Cursio, 61 vjeç, i njohur si “U’ Colonnell”, Rosita Sacco, 51 vjeç, Costantino Folla, 53 vjeç, i njohur si “U Porc-Suino”, Matteo Salvatore Gualano, 35 vjeç dhe Vito Giannetta, 52 vjeç.

Pjesë e hetimit ishin ndjekjet, përgjimet, vëzhgimet

Një nga protagonistët në dosje është  Rosita Sacco e cila ankohet pas kthimit nga një udhëtim me bashkëshortin e saj Leonardo Cursio se i ishin premtuar 1000 euro për transportin e 20 kilogramëve hashash – shumë që ajo e konsideronte të pamjaftueshme për rrezikun e marrë. Cursio i përgjigjet se marrëveshja ka qenë e qartë që në fillim dhe shuma ishte ajo që ishte rënë dakord. Madje, i propozon udhëtime të tjera, me të njëjtat metoda të “provura” tashmë.

Gruaja heziton. Nuk dëshiron ta përdorë më Fiat Pandan për transport, preferon një makinë më pak të dukshme. Udhëtimi riorganizohet me një Opel Insignia, përsëri në emër të Buxhelit dhe me nisje nga San Benedetto del Tronto. Misioni përfundon me sukses: policia ndalon Saccon, por vetëm pasi dorëzimi është kryer, ndaj kontrolli rezulton negativ.

Profili i “fantazmës” shqiptare

Nga dokumentet del një portret i qartë i Elidon Buxhelit: një figure shumë e kujdesshme dhe e dyshimtë deri në paranojë. Nuk shoqërohet kurrë nga të tjerët, flet shumë pak edhe me bashkëpunëtorët e tij dhe është në gjendje të qëndrojë për orë të tëra në makinë pa thënë asnjë fjalë. Komunikon vetëm përmes ËhatsApp-it dhe rrallëherë përdor linjën tradicionale të telefonisë.

Është aq i kujdesshëm sa edhe në biseda të zakonshme tensionohet nëse ndien qoftë edhe një shenjë të përgjimeve apo prani të ndonjë të infiltruari. Frekuenton vetëm vende takimi të verifikuara dhe të planifikuara me kohë. Ai është furnizuesi i Cursios dhe Saccos me substanca narkotike, duke menaxhuar kontaktet dhe lëvizjet si një “broker” i paligjshmërisë.

Elidon Buxheli është aq i vëmendshëm sa mes bashkëpunëtorëve të tij e kishte fituar pseudonimin “Nano Malefico”, për shkak të shtatit të tij të shkurtër dhe dyshimeve të shtuara. Gjatë periudhës së hetimeve, përdorte tre makina të regjistruara në emra të tjerë, por që i përdorte vetëm ai. Përmes përgjimeve dhe të dhënave GPS është vërtetuar se ai frekuentonte banesën në rrugën Santa Maria në Campomarino (CB), ku bashkëjetonin Cursio dhe Sacco dhe ku Buxheli ndodhej në arrest shtëpie që nga janari 2024.

Buxheli shkonte rregullisht në atë banesë, duke treguar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe operative me çiftin, që shërbente si një nyje logjistike për shpërndarjen e ngarkesave të drogës.

Një tjetër emër kyç në hetime është ai i Costantino Folla, një personazh i njohur për Cursion dhe Saccon, me të cilët kishte marrëdhënie të hershme. Falë kësaj besueshmërie, arrinte të furnizohej nga ata me hashash dhe kokainë, të cilat më pas ua shiste të tjerëve. Ai arriti të krijojë kontakt direkt me Buxhelin, duke u bërë një pikë kyçe në rrjetin e trafikut.

Nga dokumentet e hetimit rezultojnë takime të shumta dhe kontakte të shpeshta mes Follës dhe Buxhelit, që konfirmojnë lidhjen e ngushtë kriminale. Folla, nga ana tjetër, mbështetej te bashkëpunimi me Matteo Salvatore Gualano, i cili kishte ngritur një qendër të vërtetë për shpërndarjen me pakicë të drogës në banesën e tij. /immediato.net/

Share This Article