Një megaoperacion ndërkombëtar i zhvilluar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato finlandeze, ka goditur 4 grupe të organizuara kriminale, të cilët operonin në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni të finalizuar mëngjesin e sotëm, janë lëshuar nga autoritetet shqiptare në total 11 masa sigurie, 9 prej tyre të ekzekutuara, 1 person i shpallur në kërkim e ndërsa një tjetër dyshohet të jetë larguar jashtë territorit shqiptar.
Nga autoritetet finlandeze dhe ato shqiptare, janë lëshuar në total 55 masa sigurie si dhe është sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike ku 170 kg ishin amfitaninë, 10 kg kokainë, dhe pjesa tjetër tableta lëndësh narkotike.
Operacioni në Shqipëri është drejtuar nga dy prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe Alfred Shehu. Sipas konferencës së përbashkët mes autoriteteve finlandeze dhe atyre shqiptare, u bë me dije se trafikimi i këtyre lëndëve narkotike drejtohej nga shqiptarë, ky dy prej tyre me origjinë nga Vlora.
“Pamje nga operacioni policor i koduar “PIETARI”.
Operacioni, i përbashkët me autoritetet finlandeze.
Gjatë operacionit, për ekzekutimin e 11 masave të sigurisë, u angazhuan rreth 110 punonjës të Policisë së Shtetit. Konkretisht, u përfshinë Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Nga 11 masa sigurie, Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, kanë ekzekutuar 9 masa sigurie dhe vijon puna për kapjen e 1 shtetasi, ndërsa 1 shtetas, nga informacionet e siguruara, nuk ndodhet në Shqipëri, dhe po bashkëpunohet me autoritetet partnere për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjithashtu, janë sekuestruar prova të rëndësishme për vijimin e hetimeve paraprake dhe hetimit pasuror.”




