Nga Avokat Arben Llangozi
Sot, në realitetin tonë të dhimbshëm, e drejta e qytetarit mund të shitet për një gotë raki.
Shpeshherë, në vend që të garantojnë rendin dhe të sigurojnë drejtësinë, disa oficerë të policisë gjyqësore shkelin detyrën e tyre në mënyrë flagrante, prova materiale nuk mblidhen siç duhet, zhduken, ose keqtrajtohen me qëllim që të deformohet e vërteta.
Këta oficerë, që duhet të jenë shtylla e parë e hetimit dhe mbrojtës të së drejtës, shpesh bëhen vegla të korrupsionit të vogël e të madh duke pranuar një drekë, një premtim, apo edhe një gotë raki në këmbim të heshtjes së tyre, të mosveprimit, apo të falsifikimit të ngjarjes penale.
Ky realitet është i papranueshëm dhe cënon themelet e shtetit të së drejtës. Çdo akt zhdukjeje, manipulimi apo mosmarrje prove është jo vetëm shkelje e ligjit, por edhe tradhti ndaj besimit publik dhe viktimave të drejtësisë.
Drejtësia nuk është për shitje. Dhe nuk ka çmim as drekë e as gotë raki që të justifikojë heshtjen tonë përballë këtij degradimi moral dhe institucional.
Drejtësia në shqipëri është një “Meze” në tryezat e Komisariateve.




