Mbahet këtë të diel masa e sigurisë për tre vajzat që dhunuan dhe filmuan 17-vjeçaren në Fier, për të cilat prokuroria ka ngritur akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.
Nëna e vajzës 15-vjeçare, për të cilën u kërkua shtrim i përkohshëm në spitalin psikiatrik, tha se nuk kanë pasur njohje me familjen e 17-vjeçares së dhunuar. Po ashtu, theksoi se nuk i njihte as dy vajzat e tjera me të cilat e bija kishte shoqëri.
“Nuk dimë asgjë për gjendjen e vajzës, ndaj jam shqetësuar shumë sepse nuk kam asnjë informacion për analiza apo të tilla. E kam takuar 2 herë vajzën në spital. Vajza nuk duket aq mirë.
Nuk kishte rroba të reja apo telefon, vetëm ato që i blinim ne. Kur vinte në shtëpi në orët e para të mëngjesit nuk më tregonte ku ishte, më thoshte isha me shoqe. Shoqet e vajzës nuk i njihja as prindërit e tyre. I njoha në polici. Me prindërit e vajzës së rrahur nuk kam pasur fare kontakt.
Ne kemi 1 vit që kemi shkuar në polici disa herë. Në shkollë vajza nisi të ketë shqetësime. Drejtoria e shkollës na nxorri jashtë ne si prindër dhe vajzën, na tha ‘zhdukeni jashtë’. Psikologia qeshte me ne. Vajzën e çuam në një shkollë tjetër por ajo nuk pranonte.
Prokuroria ka kërkuar masat e sigurimit personal ‘Arrest me burg’ për shtetasen L.L., ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen e mitur K.G., dhe ‘Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik’ për shtetasen e mitur në konflikt me ligjin M.R. të gjitha të dyshuara për kryerjen e veprës penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’ e parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.




