Zgjedhjet në Qarkun e Gjirokastrës janë tronditur nga një skandal i rëndë elektoral që prek thelbin e procesit demokratik. Ëngjëllush Serjani, drejtori i fushatës së kandidatit të Partisë Socialiste, Piro Dhima, ka dalë publikisht duke shpërndarë një listë me emrat e qytetarëve që, sipas tij, kanë shprehur dakordësi për të votuar për kandidatin socialist.

Ky akt, i denoncuar me shqetësim nga qytetarë, përfaqësues të opozitës dhe shoqëria civile, përbën një shkelje flagrante të ligjit. Në një klimë zgjedhore që kërkon transparencë dhe integritet, publikimi i preferencave elektorale të votuesve është jo vetëm i paligjshëm, por ngre dyshime serioze për një skemë të organizuar shitblerjeje votash.

Sipas juristëve dhe njohësve të legjislacionit zgjedhor, ky veprim bie ndesh me nenin 328 dhe 329 të Kodit Penal për “cenimin e fshehtësisë së votës” dhe “përfshirjen në veprime që ndikojnë në mënyrë të paligjshme te vullneti i zgjedhësve”.
Publikimi i listave me votues është një formë moderne presioni, që mund të përdoret për të intimiduar, shantazhuar apo për të shpërblyer individë në këmbim të votës së tyre. Ky është një sinjal i rrezikshëm që tregon se mekanizmat e manipulimit nuk janë çrrënjosur, por kanë marrë forma të reja, edhe më të rafinuara dhe të organizuara.
Demokracia në Shqipëri po përjeton një tjetër goditje të rëndë nga skemat e vjetra por gjithnjë më të sofistikuara të manipulimit të votës. Një akt tronditës ka ndodhur në Gjirokastër, ku Ëngjëllush Serjani, drejtori i fushatës elektorale të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Piro Dhima, ka publikuar në rrjete sociale dhe në komunikime të brendshme partiake një listë emërore të votuesve që kanë deklaruar mbështetjen për PS-në.
Ajo që ka ndodhur në Gjirokastër nuk është një incident i zakonshëm elektoral. Nuk është thjesht një devijim i vogël nga rregullat zgjedhore apo një “teprim” i fushatës. Është një krim i drejtpërdrejtë kundër demokracisë, një akt që duhet të tronditë ndërgjegjen e çdo qytetari që ende beson se vota e tij është e shenjtë dhe e paprekshme.
Publikimi nga Ëngjëllush Serjani, drejtori i fushatës së Partisë Socialiste për kandidatin Piro Dhima, i një liste me votues të cilësuar si “të sigurt”, është një nga shembujt më të pastër të shkeljes së fshehtësisë së votës në Shqipërinë e tranzicionit të gjatë. Ky veprim është shumë më tepër se një gabim etik. Është provë publike e një krimi të organizuar elektoral, që përfshin presion psikologjik, shantazh dhe manipulim të qëllimshëm të vullnetit qytetar.
Në një vend normal, fshehtësia e votës është një shtyllë e sistemit demokratik. Është ajo që i jep qytetarit lirinë për të zgjedhur pa frikë, pa presion dhe pa ndëshkim. Askush – as partia, as kandidati, as drejtori i fushatës – nuk ka të drejtë të dijë se si do të votojë një individ. Nëse dikush pretendon se e di, ka vetëm një shpjegim: ai ka ushtruar presion mbi atë qytetar, e ka blerë ose e ka frikësuar.
Publikimi i emrave të njerëzve si “vota të sigurta” nuk ndodh rastësisht. Këto lista nuk përpilohen nga dëshira për të bërë fushatë. Ato janë instrumente të kontrollit, të frikësimit dhe të mbajtjes nën sqetull të qytetarit. Ato janë lista shantazhi, që i thonë çdo shqiptari: “Ne të kemi shënuar, e dimë ku e ke votën, e dimë çfarë ke premtuar dhe do ta mbash fjalën… përndryshe do të ketë pasoja.”
Ky nuk është thjesht një problem lokal në Gjirokastër. Është një kërcënim kombëtar ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është një model që nëse tolerohet, do të përhapet si kancer në çdo qark të vendit. Nëse sot heshtim për këtë skandal, nesër nuk do të kemi më zgjedhje – do të kemi thjesht teatër politik, me rezultat të paracaktuar dhe qytetarë të përulur përballë partisë-shtet.
Prandaj, ky rast nuk duhet të kalojë në heshtje. SPAK ka për detyrë ligjore dhe morale të nisë menjëherë hetimet, të vendosë në pranga përgjegjësit dhe të ndalë përhapjen e këtij virusi elektoral. KQZ duhet të veprojë me forcë për të mbrojtur integritetin e procesit dhe për të çuar një mesazh të qartë: zgjedhjet nuk janë një lojë mafioze, por një mekanizëm i shenjtë i sovranitetit popullor.
Burimi: Infront-al.com




