Mbërrin në Shëngjin anija ‘Libra’, 40 të dëbuarit e parë nga Italia do të akomodohen në Gjadër

Jugulajm.net
2 Min Read

Sot ka mbërritur në Portin e Shëngjinit një anije me 40 emigrantë nga Italia, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve për menaxhimin e emigracionit jashtë territorit italian.

Anija, e dhuruar nga qeveria italiane, kishte planifikuar të mbërrinte një ditë më parë, por lundrimi u shty për sot.

Emigrantët, shtetas të kombësive të ndryshme, ishin ndaluar në qendrën e pritjes në Brindizi (CPR) dhe janë transferuar në Shqipëri në bazë të dekretit të 28 marsit, i cili lejon transferimin e azilkërkuesve të kapur në det, si dhe të migrantëve të parregullt që kanë marrë urdhër dëbimi nga autoritetet italiane.

Ata do të strehohen në kampin e Gjadrit, që tashmë funksionon si qendër zyrtare riatdhesimi.

Kjo është hera e katërt që emigrantë italianë mbërrijnë në Shëngjin, pas grupeve të ardhura në tetor, nëntor dhe janar.

Në dy rastet e para, vendimet gjyqësore në Itali kishin pezulluar dërgimin e tyre, duke ngritur shqetësime për listat e vendeve të origjinës dhe vlerësimet individuale të sigurisë.

Marrëveshja për ndërtimin dhe përdorimin e këtyre qendrave në Shqipëri u nënshkrua në vitin 2023 nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Ajo u prit me kritika të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut, që e cilësuan si një përpjekje për të zhvendosur problemet e emigracionit në vende më të dobëta ligjërisht dhe ekonomikisht.

Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë qeverisë italiane, duke konfirmuar se çdo shtet ka të drejtë të përcaktojë vetë listën e vendeve të sigurta, një pikë kyçe në justifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë.

Ndërkohë, opozita italiane ka kritikuar ashpër marrëveshjen për koston e lartë prej 800 milionë eurosh në pesë vite, duke theksuar se nuk adreson rrënjët e krizës së emigracionit.

Në të kundërt, disa liderë të BE-së dhe vetë Komisioni Evropian kanë shprehur interes për të shndërruar këtë model në një praktikë më të gjerë për menaxhimin e emigracionit jashtë BE-së.

Share This Article