Furtunë ndryshimesh dhe largime nga Komisariati Nr.2 në Tiranë, dy ditë pas arrestimit të ish-efektivit të RENEA-s, nga blutë e këtij Komisariati.
Shefi i krimeve në këtë komisariat është larguar nga detyra dhe është transferuar në një pozicion tjetër. Ndërkohë, edhe shefi i komisariatit ka paraqitur kërkesë për t’u dorëhequr.
Zyrtarisht, Policia e Shtetit nuk i ka konfirmuar lëvizjet, por fakti që këto zhvillime ndodhin menjëherë pas arrestimit të Morinës ka ngritur dyshime se lidhen pikërisht me këtë çështje. Gjithashtu, raportohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet mbi këtë situatë.
Altin Morina akuzohet nga SPAK se ka bashkëpunuar me të fortin e Niklës, Durim Bami, në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe kishte qëndruar për muaj të tërë në arrati.




