GJKKO pushon çështjen ndaj kryebashkiakut të Libohovës, Leonard Hide, akuzohej për…

Jugulajm.net
1 Min Read

Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj kryebashkiakut të Libohovës, Leonard Hide, i cili ishte marrë i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre gjatë kohës kur mbante funksionin e Shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.

Hide akuzohej për shpërdorim detyre lidhur me kultivimin e kanabisit në zonën e Gjirokastrës.

Hetimi për këtë çështje u krye nga ish-Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe nga Prokuroria e Gjirokastrës.

Akuzat përfshinin mosmarrjen e masave për parandalimin e kultivimit të kanabisit, pasi, në vitin 2021, në Gjirokastër u zbuluan disa plantacione me qindra bimë narkotike.

Hetimet e nisura në 1 shtator 2021 zbuluan se disa kontrolle nga policia lokale ishin shmangur, ndërsa në rrugë informative kishte informacion për mundësinë e bashkëpunimit të zyrtarëve të policisë me trafikantët e drogës.

Përfshirja e Hides në këtë aktivitet u konstatua gjatë hetimeve me metoda proaktive dhe transkriptimeve të realizuara nga Prokuroria e Gjirokastrës, e cila regjistroi procedimin penal.

Megjithatë, pas hetimeve, Prokuroria e Gjirokastrës shpalli mos-kompetencë dhe e kaloi çështjen në SPAK, duke i dorëzuar hetimet këtij organi të posaçëm për ndjekjen e krimeve të rënda.

Share This Article