Zgjedhjet vendore, Presidenti Begaj dekreton datën, ja cila është…

Jugulajm.net
2 Min Read

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot, 30 tetor, datën për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore mbahen në periudhën zgjedhore të pranverës, që përfshin katër të diela ndërmjet 15 prillit dhe 15 majit. Data e zgjedhur është e diela e 9 maj 2027.

Para vendimit, Presidenti u konsultua me forcat politike parlamentare dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Në konsultime morën pjesë grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe Partia Socialdemokrate. Komisioneri i Zgjedhjeve propozoi 9 majin, me argumentin se kjo u jep institucioneve më shumë kohë për t’u përgatitur. Partia Socialdemokrate e mbështeti këtë datë. Subjektet e tjera politike nuk morën pjesë dhe nuk e bënë publike asnjë preferencë.

Begaj deklaroi se data nuk lidhet me favorizimin e ndonjë partie apo me ndikimin te zgjedhësit. Ai u bëri thirrje partive të paraqesin kandidatë, alternativa dhe platforma, dhe të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për një proces të ndershëm dhe konkurrues.

Zgjedhjet do të mbahen rreth katër muaj pasi të hyjë në fuqi buxheti i 2027-s. Ai parashikon dyfishimin e bonusit të pensioneve nga 1 janari dhe indeksimin e pensioneve në prill, si dhe paketën fiskale me TVSH-në e re dhe taksën e dyfishuar të makinave.

Share This Article