A keni dhembshuri, po turp a keni, çfarë jeni ju vallë?

Jugulajm.net
4 Min Read

Dhimbja është shumë e madhe për prindërit e 17-vjeçares, Irsa Muçollari, pasi ata janë krijuesit e ëngjëllit që shkoi në qiell, e më pas për shoqërinë e saj. Ndërsa për tjetërkënd, ka qenë një rast e aq.

Këtu hyjnë tre drejtuesit më të lartë në Gjirokastër si ministrja e plehrave dhe deputetja e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, kryebashkiaku, Flamur Golemi dhe prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote.

Të tre këta sidomos Kumbaro, nuk lë gjë pa postuar në rrjetin e saj social FCB nga inskenimet bajate të historisë së sukseseve të të rinjve gjirokastritë, “talentet” që mbijnë në pragun e PS, e deri tek ndokush që bën çatinë e re me paret e veta.

Por për këtë tragjedi që ndodhi dje, snuk fare, po fare fare.

Nuk ja ka bërë dora në fakt. As dje dhe as sot. Nuk shikon asnjë postim qoftë edhe me tre fjali ngushëlluese, jo për ëngjëllin që mori rrugën në qiell, por për ata prindër që i’u ça zemra nga hataja e madhe.

E njëjta gjë dhe me kryebashkiakun Golemi, i cili nuk ka përtuar të ripostojë broçkullat dhe lajthitjet e Ramës mesditën e sotme, por dhe ripostimet e “suksesshme” të punëve të ministres së plehrave në fushën e turizmit “elitar”.

Ndërsa nuk ka postuar as prefekti i Qarkut, Odise Kote, i cili për nga natyra e tij poetike dhe si vlerë e letrave shqipe, për çudi nuk gjeti tre sekonda dedikim për këtë vajzë të mjerë që i dha fund jetës nga bullizimi në Gjimnazin, ku për të ishte institucioni i Inkuizicionit.

Mos të flasim pastaj për Faqen Zyrtare të Gjimnazit “Siri Shapllo” në FCB, që as nuk denjoi që të shkruante dy fjali për nxënësen e vet, ndërkohë që një hartim të tërë për humbjen natyrale të një mësueseje.

Ndjeshmëria njerëzore tek Kumbaro është nocion i huaj, ose më keq akoma ka dijeni që stafi pedagogjik i këtij gjimnazi e çoi drejt vdekjes 17-vjeçaren e shkretë.

Përgjegjësi morale Kumbaro nuk njeh dhe sikurse thonë shikon fiku-fikun dhe piqet, ashtu veprojnë dhe ata që e kanë idhull ministren e plehrave.

Nëse do të kishin pak moral, sot duhej të jepte dorëheqjen Drejtori i Gjimnazit “Siri Shapllo”, mësuesja Kujdestare e Vitit I C dhe psikologia.

Kjo gjë nuk ka ndodhur.

Pra përgjegjësinë për këtë që ndodhi e mori me vete e mjera Irsa, pasi ajo kishte faj përse bullizohej nga shoqëria e vet në klasë, pasi nuk kishte mundësi të vishej si ata, apo të hante si ata, ndërkohë që psikologia ndonëse kishte dijeni për këtë bullizim, as nuk kishte marrë ndonjë masë konkrete.

Dorëheqjen duhet t’a paraqesë dhe drejtuesit e institucionit më të lartë arsimor në Gjirokastër për këtë tragjedi, por si gjithmonë këtu po u betove për idealin e Partisë, je më i vlefshëm sesa morali i fabulës që përfundoi me vetvarjen në litar të Irsit të gjorë.

Share This Article