Një situatë alarmante është regjistruar në burgun e Durrësit, ku përmbytjet që kanë prekur qytetin kanë shkaktuar shpërthimin e ujërave të zeza në katin e parë të institucionit.
Ky kat përmban qelitë e të dënuarve dhe personave në hetim e gjykim.
Burgu ndodhet në zonën e ish-kënetës, e cila është një nga më të prekurat nga reshjet e shiut që kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.
Sot pasdite, ujërat kanë hyrë në katin e parë, duke detyruar të burgosurit të zhvendosen në katin e dytë për të shmangur rrezikun.
Një nga të burgosurit me shtetësi amerikane ka ngritur alarmin për rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve infektive që mund të ndodhin për shkak të ujërave të ndotur brenda burgut.
Kanali i ujërave të zeza, i cili kalon pranë burgut, ka shpërthyer për shkak të reshjeve të shiut, duke krijuar një situatë të pazakontë dhe të rrezikshme për të burgosurit dhe stafin e institucionit.
Zona e ish-kënetës vazhdon të jetë më problematikja në Durrës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të menaxhuar situatën.