VIDEO/Në Tepelenë uji paguhet me pikatore, 120 mijë euro borxhi familjar ndaj Ujesjellësit

Jugulajm.net
2 Min Read

Borxhet ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Bashkinë e Tepelenës, kalojnë shifrën e 120 mijë eurove.

Kjo shumatore është e akumuluar prej 17 vitesh dhe debitorët familjarë, ende nuk kujtohen që të shlyejnë detyrimet e prapambetura.

Kjo ka shkaktuar problem në bilancet vjetore të këtyre 17 viteve në këtë ndërmarrje.

Sipas drejtorit të Ujësjellësit të Tepelenës, Jetnor Haska, shuma e sipërpërmendur është e akumuluar qysh prej vitit 2007 e këtej dhe që kanë për debitorë familjarë, kryesisht familje pa të ardhura.

Sipas tij, në disa raste është ndërhyrë dhe ligjërisht, duke i kallzuar penalisht debitorët që kanë më shumë se 20 vite borxhe ndaj ujësjellësit, duke vjelur detyrimet e prapambetura përmes vendimeve gjyqësore të zbatuara nga zyrat e përmbarimit.

Përsa i përket institucioneve debitore ndaj ujësjellësit, është vetëm Bashkia e Tepelenës e cila sipas Haskajt, po shlyen këtë debi të prapambetur prej më shumë se 14 vitesh, ndërsa institucione të tjera debitore nuk ka.

Ndonëse është investuar në rrjetin e përcjelljes së ujit të pijshëm në këtë bashki, humbjet në rrjet nuk mungojnë, madje janë në shifra serioze. Sipas Haskajt, këto humbje janë në masën 37%.

Tepelena është një zonë e pasur me burime të shumta në të dy anët e brigjeve të Vjosës.

Share This Article