Një 35-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim nga policia e Athinës, pasi ka shkelur lejen e përkohshme të marrë nga burgu i Agios Stefanos.

I dënuari nuk është kthyer më në burg pas skadimit të lejes së rregullt 6-ditore.

I riu ndodhej në burg që prej vitit 2019, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Janinës, e cila e kishte dënuar me 15 vjet e 6 muaj burg dhe 50 mijë euro gjobë për përfshirje në trafik droge.

Policia greke ka nisur një operacion intensiv për kapjen e të dënuarit, ndërsa ngjarja ka rikthyer vëmendjen ndaj rasteve të shkeljes së lejeve të dhëna për të burgosurit.

Autoritetet vijojnë hetimet për të gjetur vendndodhjen e 35-vjeçarit, duke bërë apel për bashkëpunimin e qytetarëve në rast se kanë informacion.