Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Kurbin, ku ka humbur jetën një 61-vjeçar i cili po punonte në lavatricen e zhavorrit.
Sipas informacioneve nga policia 61-vjeçari është rrëzuar nga një lartësi dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në Spital, ku ka humbur jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Policia ka shpallur në kërkim tre persona me akuzën për “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori dhe bënë shpalljen në kërkim të shtetasve: Kastriot Lleshaj, 53 vjeç, dhe Mark Lleshaj, 59 vjeç, banues në Fushë- Mamurras, Kurbin, (vëllezër) dhe të shtetasit Ilirjan Xhixha, 58 vjeç,(drejtues teknik) për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi në lavatriçen e zhavorrit në Skuraj, Kurbin në pronësi të dy vëllezërve, shtetasi F. H., 61 vjeç, banues në Milot, Kurbin, ditën e djeshme gjatë punës është rrëzuar nga një lartësi dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në Spital, ku ka humbur jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme”, njoftoi zyrtarisht policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.